Xhamia Drita

Ramazani po afron, prapë po na vjen ky muaj i shenjtë. Sa shpejt që kaloi edhe një vit! Më kujtohet shumë mirë Ramazani i vitit të kaluar, sikur të ishte dje.

Dhe se sa shpejt kaloi ai… Dhe ja, jeta po vazhdon dhe koha ecën me shpejtësi skëterrë, si një lokomotive e cila na tërheq nga mbrapa. Nuk na pyet nëse duam të ecim me të apo jo, por ajo vazhdon rrugën e saj.
A nuk ju duket edhe juve që koha po ecën shumë shpejt?!!
Nuk e di a po ecën koha shpejt, apo po ecim ne ngadalë saqë nuk e arrijmë atë… A nuk ishte shumë afër koha kur miku ynë i nderuar, Ramazani na vizitonte neve në dimër?!!!
Ja tani po vjen të na vizitojë edhe në verë, të na sprovojë pak më shumë me gjatësinë dhe nxehtësinë e ditës.
Ramazani, ky muaj i begatë na viziton njëherë në vit, duke na ardhur në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër.
Ky muaj me vlerë na jep mundësi per meditim, t’i themi jetës tonë : Ndal oj jetë se na hutove me kënaqësitë e kësaj bote kalimtare!!! Ndal se na more frymën duke shpejtur pas gjërave pa vlerë!!! Ndal sa të ushqej shpirtin me besim, adhurim, devotshmëri!!

Ndal se unë dua të dëgjoj thirrjen e Zotit tim i Cili më fton në shpëtim, në mëshirë, në kopshtet e bukura të Xhennetit!
Ramazani po i vjen në ndihmë shpirtit i cili është lodhur duke mbajtur trupin e rëndë… Në këtë muaj le të lodhet pak trupi dhe le të pushojë shumë shpirti…
Ramazani, ky muaj që Allahu i ka dhënë më shumë vlerë se muajt e tjerë, të cilin e ka përmendur me emër në Librin e Tij të shenjtë, në të është mundësia më e mirë për atë që dëshiron të ndyshojë vetveten, për atë që do të shpëtojë shpirtin e tij.
Ramazani, kohë për meditim, të pendohemi për jetën që kaluam pas kënaqësive të kësaj bote dhe të drejtojmë idealet tona në botën e ardhme të përjetshme.
Ramazani, kjo derë e mëshirës që mundëson që era e parfumit të besimit të depërtojë në zemrat tona!
Ramazani, koha e tregtisë me të vlefshme për besimtarin që t’i shumojë pemët e kopshtit të tij në xhennet.
Ramazani, koha e vetllogarisë për secilin nga ne.
Kjo mirësi e madhe që po afron, mendoni se sa shumë njerëz nuk kanë mundësi ta përjetojnë më, mendoni sa na do Allahu që po na e jep këtë dhuratë kaq të madhe!

Ramazani, muaji i Kuranit, muaji i ibadeteve, i Teravive, muaji i duave dhe i lotëve! Le të rrjedhin lotët tona si lumë në të cilin pastrohet shpirti ynë nga gjynahet!
Ramazani, muaji i bashkimit të muslimanëve me shumë se kurrë, muaji i iftareve të përbashkët, muaji në të cilin muslimanët takohen cdo ditë në xhami për të falur namazin e Teravisë!
Ramazani, në të cilin njerëzit janë me afër Allahut, më afër vetvetes dhe më afër njerëzve të tjerë. Në këtë muaj besimtari e edukon veten e tij në përuljen ndaj Allahut, e mund nefsin e tij duke ia mohuar brenda ditës nevojat më elementare për jetën, ngrënien dhe pirjen! Dhe në iftar gezimi i paparë për arritjen e suksesit, që ia dolëm mbanë këtij qëllimit tonë dhe kështu bëmë një hap drejt kënaqësisë së Allahut! Agjërimi në këtë muaj, ama agjërimi i çdo pjese të trupit, jo vetëm i stomakut, por edhe i gjuhës, edhe i veshëve, syve, këmbëve dhe duarve, edhe agjërimi i zemrës, ky lloj agjërimi pra e ka shpërblimin vetëm nga Allahu, shpërblim pa hesap, sa askush tjetër nuk e di.
Ky agjërim na bën të kuptojmë më mirë të varfërit, të vobektët, jetimët anembanë botës, të cilët kushedi se sa kohë qëndrojnë pa ngrënë dhe pirë. Me këtë agjërim Allahu na jep shansin që të jemi më afër atyre, që të përjetojmë edhe ne vetë ndjenjat e tyre, që të na shtohet keqardhja për ta, humaniteti, solidariteti, ndihma si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana shpirtërore me dua dhe lutje për ta. Se varfëria është një sprovë e vështirë të cilën Muhammedi a.s. e ka krahasuar me kufrin.
Agjërimi na afron gjithashtu edhe më shumë me veten tone, ti lemë mënjanë të gjitha ato gjëra që na e mpijnë trurin dhe na e prishin zemrën, si TV, Computer, telefonin, duhanin e lojërat e ndyshme që na vjedhin kohën. Të kalojmë kohë intensivisht me veten tonë, me Krijuesin tonë. Të vemë qëllime për jetën tonë, të kuptojmë nga thellësia e zemrës shkakun e krijimit tonë, t’i kthjellojmë idealet në mendjen tonë.
Të mirat e Ramazanit nuk mbarojnë me të numëruar. Agjërimi ka edhe shumë të mira mjekësore, edhe pse jomuslimanët na e përmendin shpesh se si mundemi të qëndrojmë kaq gjatë pa ujë. Ama Allahu i cili na ka krijuar neve, e di më mirë se çdokush se cfarë është e mirë dhe cfarë është e keqe për ne. Allahu ka krijuar sëmundjen dhe ilaçin. Dhe mjeku më i mirë është për ne Krijuesi ynë. Allahu nuk do kurrë të keqen për ne, as vështirësinë. Sa e sa sëmundje i kurojnë mjekët sot me dieta të ndryshme, në të cilat lejohet të konsumosh vetëm gjëra të posaçme dhe në kohë të veçanta. A keni menduar ndonjëherë për stomakun? I shkreti se cfarë heq nga ne. Vazhdimisht e fusim në punë dhe e lodhim. E lëmë të pushojë vetëm natën kur flemë. Pra agjërimi i jep stomakut mundësi të pushojë, pas një viti i cili punon thuajse pa pushim.
Ama kujdes edhe në kohën e iftarit! Mos të hamë në iftar atë që do të kishim ngrënë në mëngjes, drekë dhe darkë. Nuk është ky kuptimi i agjërimit. Muhammedi a.s. na ka këshilluar që kur të hamë, ta mbushim 1/3 e stomakut me ushqim, 1/3 me ujë dhe 1/3 ta lëmë për frymëmarrje. Mos ta mbushim të gjithë stomakun me ushqim dhe ujë, derisa të mos marrim dot më frymë. Edhe Allahu na këshillon në Kuran duke na thënë: „Hani e pini por mos e teproni…“ Sure Araf / 31
Pra, për atë që ka dashur të bëjë dietë gjatë vitit, le ta bëjë atë në Ramazan. Me këtë të ketë edhe shpërblimin e agjërimit, edhe efektin e dietës inshaAllah.
Të gjitha keto të mira e kemi më të lehtë t’i arrijmë me mirësinë e Allahut i Cili në këtë muaj i hapi për ne dyert e Xhennetit, i mbylli dyert e Xhehennemit dhe Iblisin e lidhi me zinxhirë.
Shejtani, ky armik i muslimanit, lëviz në enët tona të gjakut, pra shëtit të gjithë trupin tonë. Sa më shumë gjak në trup, aq më i fortë është shejtani. Sa më të gjëra enët e gjakut, aq më rehat lëviz shejtani në to. Kur agjërojmë dhe e kufizojmë ushqimin dhe pirjen, enët e gjakut automatikisht ngushtohen. Dhe në këtë mënyrë ia kemi vështirësuar lëvizjen shejtanit. Pra kjo është një shenjë që po fitojmë luftën me shejtanin. Shikoni se çfarë ndihme e madhe për ne qenka agjërimi!!!
Nuk ka thënë më kot Muhammedi a.s., dhe ne e dimë se Ai nuk flet nga mendja e vet, por vetëm atë që ia mëson atij Allahu, i cili na ka mësuar: “O ju të rinj! Martohuni! Kush nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë!” Çfarë lidhje ka agjërimi me martesën? Ai që nuk ka mundësi të martohet, ekziston mundësia që të bëjë haram me femra ose meshkuj të tjerë. Dhe kjo padyshim që është një punë që e nxit shumë shejtani i mallkuar. Dhe mënyra për t`ia ngushtuar rrugët shejtanit, e thamë që është agjërimi. Sa i madh është Allahu, i Cili për çdo sfidë që kemi në jetë, na ka mësuar edhe mënyrën se si ta tejkalojmë atë me sukses!!!
Muaji i Ramazanit është afër, disa e presin me përulje dhe përkushtim, disa me tallje dhe argëtim. Shumë njerëz harrojnë që ky është muaji i Provimit, provim i durimit, qëndrueshmërisë, vullnetit, sinqeritetit!
Ramazani është muaji i mëshirës, faljes, furnizimit, mirësive, por në të njëjtën kohë është edhe muaji i sakrificës, I vetëmohimit. Duhet shumë punë, angazhim, përpjekje. Shumë lëvizje, djersë, etje, uri. Të arrihet kulmi i durimit. Kulmi i lodhjes. Kulmi i rezistencës. Derisa qënia jonë të edukohet.
Ka njerëz që futen në këtë muaj, dhe arrijnë kënaqësinë e Allahut, por ka edhe të tjerë, Zot na ruaj, që pa vetëdije tërheqin mbas vetes hidhërimin e Tij!
Në këtë muaj shumë njerëz agjërojnë, por nuk ju mbetet nga agjërimi i tyre vetëm se uria dhe etja. Ju humbasin të gjitha shpërblimet, për shkak se ju agjëron vetëm stomaku!
Ka të tjerë që fitojnë të mira shpirtërore, por pasi pastrohen nga gjynahet, shpejt e humbasin pastërtinë! Pastërtia mund të arrihet shpejt, por më e vështirë dhe më e rëndësishme është ruajtja e saj. Dhe agjërimi ia mëson njeriut këtë gjë, të qëndrojë i fortë dhe i paluhatshëm në përballje me të papastrën, me gjynahun.
Le të jetë ky muaj që të arrijmë pastërtinë dhe ta ruajmë atë, të kujtojmë besën e dhënë Allahut dhe ta ruajmë atë. Le të jetë një shkollë për ne ku të edukojmë veten tonë, të bojkotojmë të keqen që na vjen nga nefsi dhe nga shejtani.
Le të jetë ky Ramazan një mjet që na udhëzon drejt Lumturisë së Përhershme, drejt Kënaqesisë së Krijuesit tonë! Amin.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top