Mërgimi dhe fëmijët tanë
🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.
🇩🇪 Deutsche Übersetzung
🇸🇦 الترجمة العربية
🇹🇷 Türkçe Çeviri
Të dashur vëllezër! Njeriu gjatë jetës së tij vazhdimisht bën llogari:
Çfarë më sjell dobi? Ku mund të dal më mirë? Cili është interesi im?
Dhe kjo në vetvete nuk është e keqe. Islami nuk na kërkon të jemi njerëz që nuk mendojnë për pasojat, për familjen, për të ardhmen dhe për nevojat tona.
Por Islami na mëson një gjë shumë të rëndësishme: Jo çdo fitim është dobi. Dhe jo çdo humbje është dëm.
Allahu i Madhëruar thotë: Ju mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju, dhe mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini. (El-Bekare, 216)
Prandaj pyetja e muslimanit nuk duhet të jetë vetëm: “Çfarë fitoj sot?” Por edhe: “Çfarë do të kem nesër?”
Sepse mund të fitosh diçka në këtë botë dhe të humbasësh shumë më tepër në botën tjetër.
Mund të fitosh pasuri, por të humbasësh qetësinë.
Mund të fitosh pozitë, por të humbasësh nderin.
Mund të fitosh duartrokitjet e njerëzve, por të humbasësh kënaqësinë e Allahut. Prandaj duhet të dimë mirë ku po investojmë.
Dhe meqë po flasim për fitimin, dua t’ju kujtoj sot një tregti të sigurt.
Një tregti ku nuk humbet ai që investon me sinqeritet. Dhe kjo është tregtia me Allahun. Tregtia ku investimi yt nuk humbet.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë se Allahu i Madhëruar ia shumëfishon veprën e mirë robit: Ai që synon një vepër të mirë dhe nuk e bën, Allahu ia shkruan një vepër të mirë të plotë. E nëse e bën, ia shumëfishon prej dhjetë deri në shtatëqind herë, madje edhe më shumë. (Buhariu dhe Muslimi)
Dhe Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt as edhe sa një grimcë. E nëse është një vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe jep nga Vetja shpërblim të madh.” (En-Nisa, 40)
Për këtë tregëti ishin të vetëdijshëm sahabët.
Transmetohet se kur një tregti e madhe i erdhi Osmanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregtarët tentuan t’ia blinin mallin duke i ofruar fitim gjithnjë e më të madh. Por Osmani (Allahu qoftë i kënaqur me të) u tha se kishte një ofertë më të mirë. Ata e rritën çmimin përsëri. Ai përsëri tha: “Kam një ofertë më të mirë.”
Kur e pyetën se kush mund t’i jepte më shumë, ai u tha se Allahu i Madhëruar premton shumëfishimin e shpërblimit. Dhe ai e dha pasurinë e tij për hir të Allahut.
Vëllezër! Ne nuk mund të japim të gjithë si Osmani Allahu qoftë i kënaqur me të.
Dikush mund të japë shumë, dikush pak, dikush mund të japë para, dikush mund të japë kohë. Por të gjithë kemi mundësi të investojmë diçka për Allahun.
Dhe të dashur vëllezër, ne sot kemi një begati që ndoshta pas disa vitesh do ta kuptojmë edhe më shumë se sa e madhe ka qenë.
Kemi këtë xhami të cilën Allahu e bëri të mundur që, pas shumë sfidave, shumë përpjekjeve dhe shumë sakrificave, sot të kemi këtë vatër këtu në mërgim. Elhamdulilah!
Mirëpo vëllezër…
Të ndërtohet një xhami është një mirësi e madhe.
Të mbahet gjallë një xhami është një amanet.
Shikoni përreth nesh. Kjo nuk është vetëm një ndërtesë ku vijmë për të falur namazin e Xhumasë.
Këtu falemi, këtu mësojnë fëmijët tanë, këtu mësojmë Kur’an, këtu këshillohemi, këtu takohemi dhe këtu e gjejmë dhe duhet ta gjejmë njëri-tjetrin.
Sidomos në mërgim, xhamia duhet të jetë një vatër ku askush të mos ndihet i huaj dhe i vetëm.
Sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm për një shtëpi ku të banojë, por edhe për një vend ku zemra të ndihet në shtëpi.
Dhe për ne muslimanët, një prej atyre vendeve është xhamia.
Prandaj, le ta bëjmë këtë xhami jo vetëm një vend ku vijmë të falemi, por një vatër që e duam, e vizitojmë dhe e mbajmë gjallë.
Të dashur vëllezër! Ne kemi ardhur në mërgim për një jetë më të mirë dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
Por duhet ta pyesim veten: A do t’u lëmë fëmijëve tanë vetëm një të ardhme materiale, apo edhe një trashëgimi shpirtërore?
Shtëpia, profesioni dhe pasuria janë të rëndësishme. Por fëmijëve tanë u duhet edhe një xhami që ta ndiejnë si shtëpinë e tyre shpirtërore.
Sepse fëmijët nuk mësojnë vetëm nga fjalët tona, por nga shembulli ynë.
Nëse ne e duam xhaminë, ata do të mësojnë ta duan.
Nëse ne vijmë në xhami, ata do të mësojnë se xhamia është pjesë e jetës.
Nëse ne e mbështesim xhaminë, ata do të mësojnë se feja është edhe përgjegjësi.
Prandaj xhamia duhet të jetë e gjallë, jo vetëm të ketë drita, por të ketë zemra. Jo vetëm të ketë njerëz në Xhuma, por të ketë njerëz gjatë javës.
Jo vetëm të jetë e bukur nga jashtë, por të jetë e gjallë nga brenda.
Vëllezër! Sot jemi më të lidhur se kurrë me telefonat, por nganjëherë më të larguar se kurrë nga njëri-tjetri.
Mund të flasim me këdo, kudo që ndodhet, përmes telefonit.
Mund të shohim qindra njerëz në rrjete sociale.
Por zemra nuk ngrohet nga ekrani.
Një “like” nuk e zëvendëson një dorë mbi sup.
Një mesazh nuk e zëvendëson gjithmonë një bisedë.
Dhe një ekran nuk mund ta zëvendësojë vëllazërinë.
Allahu thotë: “Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.” (Er-Ra’d, 28)
Dhe këtu, vëllezër, dua t’ju bëj një thirrje shumë të thjeshtë. Para se të jemi anëtarë të xhamisë, le të bëhemi dashamirës të xhamisë.
Ejani në xhami. Bëjeni këtë vend pjesë të jetës suaj, sepse nëse e duam xhaminë, do të kujdesemi për të. Dhe nëse kujdesemi për të, ajo do të mbetet gjallë.
Dhe gjithashtu vëllezër, nuk duhet që ta shohim xhaminë vetëm si një vend ku vijmë të falemi. Por duhet ta shohim edhe si shtëpinë tonë të përbashkët dhe ti themi vetës sonë: Edhe unë kam përgjegjësi.
Dhe kjo është ajo që dua t’ju kërkoj sot nga ju: Jo një barrë, jo një detyrim të pamundur. Por një mundësi: Që secili të bëhemi pjesë e xhamisë. Ashtu siq thotë Allahu: Xhamitë e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë. (Et-Teube)
Andaj vëlla i nderuar, regjistrohu si anëtar i xhamisë dhe jep një kontribut të rregullt sipas mundësisë tënde. Dhe dije se Allahu nuk shikon vetëm shumën. Allahu shikon zemrën dhe sinqeritetin.
Dikush mund të japë 10 euro, dikush 20, dikush 50 dhe dikush mund të japë më shumë.
Pra secili prej nesh le të japë atë që mundet. Sepse nuk po ndërtojmë vetëm për sot. Po ndërtojmë kujtime për fëmijët tanë
Mendoni pak, vëllezër… Ndoshta pas 10, 20 apo 30 vitesh, fëmijët tanë do të hyjnë në këtë xhami.
Ndoshta njëri prej tyre do të jetë imam.
Ndoshta njëri do t’u mësojë fëmijëve Kur’an.
Ndoshta njëri do të jetë pjesë e drejtimit të kësaj xhamie.
Dhe ndoshta një ditë do t’u tregojë fëmijëve të vet:
“Kjo xhami u ndërtua dhe u mbajt gjallë nga gjyshërit tuaj.”
A nuk do të ishte kjo një sadaka që vazhdon?
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç tri gjërave: sadakasë rrjedhëse, dijes prej së cilës përfitohet dhe fëmijës së mirë që lutet për të.” (Muslimi)
Prandaj mos e shiko kontributin tënd vetëm si:
“Po paguaj një anëtarësi.”
Shikoje si:“Po kontribuoj që kjo vatër të mbetet e gjallë.”
Po kontribuoj që një fëmijë të mësojë Kur’an.
Po kontribuoj që një i ri të gjejë shoqëri të mirë.
Po kontribuoj që ezani të vazhdojë të dëgjohet.
Po kontribuoj që pas nesh të ketë kush ta vazhdojë këtë amanet.
Prandaj Vëllezër! Në fillim ju pyeta: Ku po investojmë?
Përgjigjen e kemi përpara.
Investojmë në familje.
Investojmë në fëmijët tanë.
Investojmë në vëllazëri.
Investojmë në fenë tonë.
Dhe investojmë në këtë shtëpi të Allahut që na bashkon.
Sepse ndoshta një euro që e jep sot nuk të ndryshon jetën.
Por ajo mund të bëhet pjesë e një namazi që falet këtu.
Pjesë e një Kur’ani që mësohet këtu.
Pjesë e një fëmije që rritet këtu.
Pjesë e një të riu që kthehet te Allahu këtu.
Pjesë e një zemre që gjen ngushëllim këtu.
Dhe Allahu e di se sa shpërblim mund të ketë pas kësaj.
Allahu na bëftë prej atyre që i mbushin xhamitë me namaz, me Kur’an, me dije dhe me vëllazëri.
Allahu na i ruajttë familjet dhe fëmijët tanë. Dhe na bëftë shembull në devotshmëri dhe punë të mira. Amin
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia Drita Duisburg
09 Tetor 2026