HUTBE: Muslimani si burim mirësie për njerëzit
🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.
🇩🇪 Deutsche Übersetzung
🇸🇦 الترجمة العربية
🇹🇷 Türkçe Çeviri
E falënderojmë Allahun e Madhëruar për çdo mirësi që na ka dhuruar. E falënderojmë për imanin, për shëndetin, për familjet tona, për mundësinë që të mblidhemi në këtë shtëpi të Allahut dhe të përmendim emrin e Tij. E lusim Allahun të na bëjë prej atyre muslimanëve që besimin e tyre nuk e mbajnë vetëm në zemër dhe në fjalë, por e shfaqin edhe në sjellje, në moral dhe në marrëdhëniet me njerëzit.
Vëllezër të dashur!
Shpeshherë kur flasim për Islamin, mendojmë për namazin, agjërimin, zekatin, haxhin, Kur’anin dhe ibadetet tona. Dhe padyshim, këto janë themeli i jetës së muslimanit.
Por Islami nuk na mëson vetëm si të lidhemi me Allahun. Na mëson edhe si të sillemi me njerëzit.
Sepse një njeri mund të falet, të agjërojë dhe të lexojë Kur’an, por nëse nga gjuha e tij njerëzit lëndohen, nëse nga sjellja e tij fqinjët vuajnë, nëse njerëzit nuk ndihen të sigurt pranë tij, atëherë duhet ta pyesë veten: Çfarë gjurme po lë besimi im te njerëzit?
Profeti ﷺ na ka mësuar një parim shumë të madh: “Ndër njerëzit më të mirë janë ata që janë më të dobishëm për njerëzit.”
Ky është një parim që duhet ta bartim me vete kudo.
>> Në familje, të jemi të dobishëm.
>> Me fëmijët tanë, të jemi të dobishëm.
>> Me prindërit, të jemi të dobishëm.
>> Me fqinjët, të jemi të dobishëm.
>> Në punë, të jemi të dobishëm.
>> Në lagje, të jemi të dobishëm.
>> Në shoqëri, të jemi të dobishëm.
Pra, muslimani nuk pyet vetëm: “Çfarë po marr unë nga kjo shoqëri?”
Por pyet edhe: “Çfarë të mire mund t’i jap unë kësaj shoqërie?”
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme për secilin prej nesh.
Feja jonë na mëson se Fqinji ynë është amanet dhe Profeti ﷺ e ka lidhur respektimin e fqinjit drejtpërdrejt me besimin.
Ai ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin e tij.” (Buhariu dhe Muslimi.)
Shikoni sa e madhe është kjo! Profeti ﷺ nuk tha vetëm: “Mos e shqetëso fqinjin.”
Tha:“Le ta nderojë fqinjin e tij.”
Kjo do të thotë të kujdesemi për mënyrën se si sillemi.
>> Të mos bëjmë zhurmë që i shqetëson të tjerët.
>> Të mos e bllokojmë rrugën.
>> Të mos hedhim mbeturina.
>> Të përshëndesim.
>> Të ndihmojmë kur dikush ka nevojë.
>> Të jemi njerëz me të cilët të tjerët ndihen të sigurt.
Sepse ndonjëherë mënyra më e bukur për t’ia treguar dikujt Islamin nuk është një ligjëratë njëorëshe. Është sjellja jonë.
Dhe dijeni të dashur vëllezër se Allahu na ka krijuar që të njihemi, thotë Allahu i Madhëruar: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Me të vërtetë, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Mirinformuar.” (El-Huxhurat, 49:13)
Vëllezër! Ndaluni pak te këto dy fjalë: “QË TË NJIHENI.”
Allahu nuk thotë: që të përçaheni.
Nuk thotë: që të urreni njëri-tjetrin.
Nuk thotë: që të jetoni të izoluar.
Por: që të njiheni me njëri-tjetrin.
Njohja e tjetrit e largon paragjykimin.
Biseda e largon frikën.
Kontakti e largon distancën.
Dhe një takim i sinqertë shpeshherë na tregon se pas dallimeve tona ka shumë gjëra që na bashkojnë si njerëz.
Të dashur vëllezër! Një xhami nuk është vetëm muret, kupola, minarja apo qilimat.
Xhamia është një vend ku njeriu e kujton Allahun. Por është edhe vend ku njeriu mëson të sillet me krijesat e Allahut.
Prandaj një xhami duhet të jetë vend i paqes, dijes, edukimit, mëshirës, mikpritjes dhe takimit.
Dhe ne duhet ta pyesim veten: Kur dikush hyn në xhaminë tonë, çfarë ndien?
A ndien paqe?
A ndien respekt?
A ndien se është i mirëpritur?
Apo ndihet i huaj?
Kjo është përgjegjësi e të gjithëve ne. Sepse xhamia është shtëpi e Allahut, por mënyra se si e presim mysafirin është përgjegjësi e jona.
Vëllezër të dashur! Nesër, më 3 tetor, kjo xhami do t’i hapë dyert edhe më gjerë për njerëzit e qytetit tonë. Do të kemi Tag der offenen Moschee – Ditën e Xhamive të Hapura.
Do të vijnë njerëz që ndoshta e njohin xhaminë. Por mund të vijë edhe dikush që për herë të parë në jetën e tij hyn në një xhami. Mund të vijë dikush që nuk di asgjë për Islamin.
Mund të vijë dikush që ka pyetje. Mund të vijë dikush që ka dëgjuar gjëra për Islamin dhe dëshiron t’i kuptojë më mirë. Dhe ne duhet ta presim me një zemër të hapur.
Nëse nesër dikush hyn këtu dhe pyet: “Pse faleni kështu?” T’i përgjigjemi me qetësi.
Nëse pyet: “Çfarë besoni?” T’i shpjegojmë me respekt.
Dhe mbajeni mend këtë: Njerëzit mund të harrojnë fjalët, por jo sjelljen
Ndoshta nesër dikush do të hyjë për herë të parë në këtë xhami. Ndoshta nuk do ta mbajë mend emrin e të gjitha gjërave që i kemi shpjeguar.
Ndoshta nuk do ta mbajë mend asnjë prej diskutimeve të gjata. Por mund ta mbajë mend: si e përshëndetëm, si e pritëm, si e dëgjuam, si iu përgjigjëm pyetjeve të tij, si e bëmë të ndihej në mesin tonë.
Prandaj, vëllezër, nesër mos e shikoni mysafirin si të huaj. Shikojeni si një njeri të cilin Allahu na dha mundësinë ta njohim.
Dhe gjithashtu vëllezër, nuk duhet me qenë kjo vetëm një ditë. Nesër mund t’i hapim dyert e xhamisë, por le t’i mbajmë të hapura edhe zemrat tona.
Le të vazhdojmë të jemi njerëz të mirë me fqinjët tanë.
>> Të respektojmë qytetin ku jetojmë.
>> Të kujdesemi për lagjen tonë.
>> Të edukojmë fëmijët tanë me besim dhe me respekt.
>> Të tregojmë me sjelljen tonë se Islami na mëson: të adhurojmë Allahun dhe të bëjmë mirë me njerëzit.
Vëllezër të dashur! Le të mos jetë pyetja vetëm: “A më njohin njerëzit si musliman?”
Por le të jetë: “Çfarë njohin njerëzit për Islamin përmes meje?”
Kur më shohin mua, a shohin respekt? Kur flas, a dëgjojnë mirësi? Kur jam fqinj i tyre, a ndihen të sigurt? Kur kanë nevojë, a më gjejnë pranë? Ky është një prej misioneve tona.
Profeti ﷺ ishte mëshirë për njerëzit dhe shembull në moral. Allahu i Madhëruar thotë:
“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija, 21:107)
Prandaj, të dashur vëllezër:
Le të jemi muslimanë që njerëzit i afrojnë te mirësia, jo njerëz që i largojnë nga ajo.
Le të jemi fqinj të mirë, le të jemi qytetarë të mirë, le të jemi prindër të mirë, le të jemi miq të mirë.
Dhe mbi të gjitha, le të jemi robër të mirë të Allahut.
O Allah, përmirësoji zemrat dhe moralet tona.
O Allah, na bëj çelësa të së mirës dhe pengesa ndaj së keqes.
O Allah, na bëj njerëz prej të cilëve përfitojnë familjet tona, fqinjët tanë dhe shoqëria jonë.
O Allah, ruaji familjet tona dhe fëmijët tanë.
O Allah, na jep urtësi që fenë Tënde ta përcjellim me dije, mëshirë, urtësi dhe moral të mirë.
O Allah, bëje këtë xhami vend të dijes, adhurimit, paqes, vëllazërisë dhe mirësisë.
O Allah, na bashko zemrat tona në të mirë dhe na largo nga përçarja, urrejtja dhe armiqësia.
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia Drita Duisburg
02.10.2026