HUTBE: Kur njeriu lëndon vetveten

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Ne jetojmë në një kohë ku flitet shumë për padrejtësinë.
Kudo që kthejmë kokën, shohim dikë që i bën padrejtësi dikujt tjetër. Në punë, në shoqëri, në botë.
Por sot, dua të flasim për një lloj tjetër padrejtësie. Një padrejtësi e heshtur. Një padrejtësi për të cilën nuk flet asnjë lajm dhe nuk ankohet askush në gjykatë.
Është padrejtësia që njeriu i bën vetvetes.

Ndonjëherë, armiku më i madh i qetësisë sonë, nuk është as fqinji, as punëdhënësi, as ekonomia. Jemi ne vetë. Për këtë gjendje shpirtërore, Allahu i Madhërishëm na drejtohet me një ajet që Ibn Mesudi e renditi ndër ajetet më të vyera për këtë umet. Dëgjojeni me kujdes çfarë thotë Mëshirëploti: “Kushdo që bën një të keqe, ose i bën padrejtësi vetvetes, e pastaj i kërkon falje Allahut, do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirëplotë.” (En-Nisa, 110)

 

1. Dëmi ndaj vetvetes
Ndaluni pak te fjalët: “ose i bën padrejtësi vetvetes”.
Ne jemi mësuar ta kuptojmë zullumin (padrejtësinë) sikur dikush të vjedh apo të bën keq. Por Krijuesi ynë e quan mëkatin, “padrejtësi ndaj vetvetes”. Pse?
Sepse, vëllezër të dashur, kur mëkaton, ti nuk i bën dëm Allahut. Pushteti i Allahut nuk zvogëlohet nga gabimet e tua. Dëmin e parë dhe më të madh ia shkakton vetes: zemrës, imanit dhe jetës sate!
Me mëkatin, ia ke rënduar zemrën dhe ia ke zbehur dritën e imanit.

Sot shohim njerëz që kanë gjithçka: shtëpi, makina, siguri… por zemra u rri e ngushtë. Nuk e shijojnë dot jetën. Sepse shpirti është i rënduar nga zullumi që i kemi bërë vetes. Nga namazet që i kemi lënë. Nga harami që e kemi futur në shtëpi. Nga fjalët që nuk duhej t’i thoshim.

 

2. Rruga e kthimit nuk është mbyllur

Dhe pikërisht këtu vjen ilaçi hyjnor.
Allahu në ajet thotë: “e pastaj i kërkon falje Allahut”.
Mesazhi më i fuqishëm këtu është shpresa: Edhe nëse ke gabuar, rruga e kthimit nuk është mbyllur. Edhe nëse ke rënë thellë, dera është aty.

A e dini se sa shumë e pranon Allahu kthimin e robit të Tij?
Përmendet një ngjarje e njohur, kur Profeti ﷺ, pas një beteje, pa një nënë që kërkonte fëmijën e saj të humbur me dëshpërim të madh. Kur e gjeti, e përqafoi duke qajtur me lot gëzimi.
Profeti ﷺ i pyeti sahabët: “A mendoni se kjo nënë do ta hidhte fëmijën e saj në zjarr?”
Ata thanë: “Kurrë, pasha Allahun!”
Profeti ﷺ u tha: “Allahu është më i mëshirshëm ndaj robërve të Tij, sesa kjo nënë ndaj fëmijës së saj.”

 

3. Ta bëjmë Teuben reale

Por, vëllezër të dashur! Ky mëkat që e bëjmë, dhe kjo teube që e kërkojmë, nuk mund të mbetet vetëm në rrafshin emocional. Pendimi (teubeja) duhet të jetë reale.
Formula e besimtarit është kjo:
Ke mëkatuar → mos u dëshpëro → kthehu te Allahu → dhe rregullo atë që ke prishur! Pastaj, mos u kthe te mëkati.
Nëse ke marrë hakun e dikujt… ktheje!
Nëse ke lënduar dikë… kërko falje!
Nëse ke prishur një amanet… rregulloje!
Nëse ke lënë namazin… kthehu te namazi!
Nëse ke hyrë në haram… mbylle derën e haramit!
Kjo është kërkimfalja e vërtetë, që e gjen Mëshirën e Zotit gati për ta fshirë gjithçka.

4. Istigfari si zgjidhje

Të nderuar vëllezër besimtarë! Për ta bërë këtë ajet dritë në jetën tonë këtë javë, le të marrim këto dy porosi:
E para: Mos u dëshpëro për veten!
Mos e lejo shejtanin të të mbajë të lidhur në të kaluarën e të të thotë: “Si mund të falesh ti kur e di se çfarë ke bërë?” Zoti yt të fton në falje.
E dyta: Bëje Istigfarin mikun tënd të përditshëm.
Dëgjoni me vëmendje këto fjalë të Profetit tonë ﷺ, të atij që i ishin falur të gjitha mëkatet:
“O njerëz! Pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje prej Tij, sepse unë pendohem tek Allahu njëqind herë në ditë.” (Muslimi)
Dhe mos harroni, vëllezër! Istigfari nuk sjell vetëm falje, por sjell bereqet dhe zgjidhje të problemeve. Ashtu siç na tregon Allahu përmes fjalëve të Nuhut (a.s):  “Kërkoni falje nga Zoti juaj, sepse Ai është vërtet Falës i madh; Ai ju dërgon shi të bollshëm, ju shton pasurinë dhe fëmijët…” (Nuh, 10-12)

Vëllezër!
Ndoshta dikush sot ka ardhur në këtë xhami duke menduar se Allahu nuk do ta falë më.
Ndoshta dikush ka një mëkat që e mban të fshehur prej të gjithë njerëzve.
Ndoshta dikush ka vite që lufton me të njëjtën dobësi dhe bie vazhdimisht.
Vëlla! Mos u largo nga Allahu për shkak të mëkatit tënd. Largohu nga mëkati dhe afrohu te Allahu.
Mos thuaj: “Kam bërë shumë.”
Thuaj: “Zoti im fal më shumë!”

“Kushdo që bën një të keqe, ose i bën padrejtësi vetvetes, e pastaj i kërkon falje Allahut, do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirëplotë.” (En-Nisa, 110)
Ky nuk është vetëm një ajet për mëkatarin. Ky është një ajet për secilin prej nesh.

O Allah! Ne i kemi bërë padrejtësi vetvetes, i kemi ngarkuar shpirtrat tanë me gabime e mangësi, dhe nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron, do të jemi vërtet prej të humburve!
O Zot, na i pastro zemrat, na i qetëso shpirtrat dhe na udhëzo që ta rregullojmë atë që e kemi prishur.
O Allah, na e bëj Istigfarin dritë në këtë botë dhe shkak për të fituar Xhenetin në botën tjetër!
Mëshiroje këtë xhemat, pranoja lutjet dhe bëji të qëndrueshëm në rrugën e drejtë!
Amin!

 

Hoxhë Hisen Ceka

Xhamia Drita Duisburg

25.10.2026

Share This:
Tags:
Language