HUTBE: Kur largohesh nga të mëdhatë, Allahu t’i fal të voglat

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Njeriu gjatë jetës së tij mundohet të bëjë shumë gjëra të mira.

Fal namazin. Agjëron Ramazanin. Jep sadaka. Vjen në xhami. Lexon Kuran.

Por, krahas pyetjes: “Çfarë të mira duhet të bëj?”, ekziston edhe një pyetje tjetër, po aq e rëndësishme:

“Prej cilave gjynahe duhet të largohem?”

Sepse ndonjëherë njeriu është shumë i kujdesshëm me disa vepra të mira, por në të njëjtën kohë mban në jetën e tij një mëkat që e rrezikon shumë më tepër sesa ai mendon.

Për këtë ekuilibër, Allahu i Madhërishëm na jep një rregull të artë në Kuran:

{ إِن تَجۡتَنِبُواْ كَبَآئِرَ مَا تُنۡهَوۡنَ عَنۡهُ نُكَفِّرۡ عَنكُمۡ سَيِّـَٔاتِكُمۡ وَنُدۡخِلۡكُم مُّدۡخَلٗا كَرِيمٗا }

Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar. (En- Nisa: 31)

Vëllezër, shikojeni mëshirën e Allahut në këtë ajet!

Ai nuk po na kërkon që të jemi njerëz që nuk gabojnë kurrë.

Na kërkon diçka që është brenda mundësisë sonë: {إِن تَجۡتَنِبُوا۟ كَبَاۤىِٕرَ } “Nëse u shmangeni gjynaheve të mëdha…”

Dhe pastaj na jep një premtim të jashtëzakonshëm: { إِن نُكَفِّرۡ عَنكُمۡ سَیِّـَٔاتِكُمۡ } “Ne do t’jua shlyejmë gjynahet (e vogla).”

 

Jo çdo mëkat është i njëjtë

Në Islam, të gjitha mëkatet janë të këqija, por jo të gjitha kanë të njëjtën peshë. Ka gjynahe të vogla dhe ka gjynahe të mëdha.

Këtë duhet ta kuptojmë mirë, sepse një prej mashtrimeve më të mëdha të shejtanit është kur na bën të mendojmë: “Fundja, të gjithë bëjnë gabime.”

Po, të gjithë njerëzit gabojnë. Por pyetja nuk është vetëm “A gabova?”, pyetja është: “Çfarë gabimi bëra dhe çfarë bëra pasi e kuptova?”

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Largohuni nga shtatë gjynahet shkatërruese.”

Sahabët e pyetën se cilat ishin ato, dhe ai përmendi: shirkun, magjinë, vrasjen e njeriut pa të drejtë, kamatën, ngrënien e pasurisë së jetimit, ikjen nga fusha e betejës dhe shpifjen ndaj grave të ndershme.

Vini re fjalët e Profetit ﷺ. Ai nuk tha: “Thjesht mos i bëni.”

Ai tha: “Largohuni prej tyre.”

Kjo është një shprehje e fortë. Kur e sheh një gropë të thellë, njeriu i mençur nuk thotë: “Do të afrohem deri te buza dhe do të kujdesem të mos bie”. Njeriu i mençur i rri larg! Edhe me mëkatet e mëdha duhet të sillemi kështu.

 

Mëkati që nuk të dhemb më

Shpesh, gjynahu i madh fillon me diçka që njeriu e konsideron të vogël.

Një shikim. Një bisedë. Një mesazh. Një klikim. Një gënjeshtër. Një hap që duket i parëndësishëm.

Pastaj njeriu e përsërit. Dhe zemra fillon të mësohet.

Problemi më i madh nuk është vetëm se njeriu mëkatoi. Problemi i vërtetë është kur zemra nuk shqetësohet më nga mëkati.

Ibn Mesudi (r.a) e ka përshkruar këtë në mënyrë gjeniale: “Besimtari e sheh mëkatin e tij sikur të ishte ulur nën një mal dhe ka frikë se mos i bie mbi kokë. Ndërsa njeriu i prishur e sheh mëkatin e tij si një mizë që i kalon para hundës dhe e largon me dorë.”

 

Mos e nënvlerësoni mëkatin.

Një njeri mund të thotë: “Unë nuk pi alkool, nuk vjedh, nuk bëj imoralitet.” Elhamdulilah, kjo është mirë.

Por pastaj, i njëjti njeri e shkatërron nderin e dikujt me gjuhën e tij. Përgojon. Shpif. Përçan njerëzit. Mashtron në tregti. I bën padrejtësi gruas. U lë fëmijëve pasurinë, por jo fenë.

Mëkatet nuk janë vetëm ato që bëhen me duar. Ka mëkate të gjuhës, të zemrës, të syrit, të pasurisë.

Prandaj besimtari nuk thotë: “Unë nuk bëj mëkate.” Ai thotë: “O Allah, më trego cilat janë mëkatet e mia dhe më ndihmo t’i lë.”

 

Fitorja në Vetmi

Kthehemi te premtimi i ajetit: { إِن نُكَفِّرۡ عَنكُمۡ سَیِّـَٔاتِكُمۡ } “Ne do t’jua shlyejmë gjynahet tuaja.”

Nuk thotë: Do t’jua numërojmë. Nuk thotë: Do t’ju poshtërojmë për to. Por: Do t’jua shlyejmë.

Kur njeriu lufton me veten dhe largohet nga një gjynah i madh për hir të Allahut, ai është një fitimtar i madh. Ndoshta askush nuk e sheh.

Je vetëm në dhomën tënde. Telefoni është në dorë. Dera është e mbyllur. Askush nga njerëzit nuk e di.

Por ti e mbyll ekranin dhe thua: “Jo. Allahu po më sheh.”

Kjo është fitore! Dhe kjo është devotshmëria e vërtetë!

 

Vëllezër të dashur!

Ky ajet nuk është vetëm një paralajmërim, është një plan shpëtimi. Prandaj sot, le t’i bëjmë vetes tri pyetje:

E para: A ka ndonjë mëkat të madh në jetën time që e di se duhet ta lë?

Mos e shiko tjetrin, shiko veten. Ndoshta është kamata. Ndoshta bixhozi. Ndoshta imoraliteti. Ndoshta padrejtësia në familje. Ndoshta një e ardhur e haramit. Secili prej nesh e di më mirë se kushdo tjetër se ku i pikon çatia e tij. Mos e shty pendimin!

E dyta: A po e ushqej një mëkat të vogël derisa të bëhet pjesë e karakterit tim?

Mos thuaj: “Është vetëm një shikim, vetëm një fjalë, vetëm një video.” Ajo që përsëritet, bëhet zakon. E ajo që bëhet zakon, kthehet në karakter. Këpute zinxhirin që në fillim.

E treta: Nëse kam rënë, a jam kthyer te Allahu?

Mos e lejo shejtanin të të thotë: “Ke bërë shumë, nuk ke më shpresë.” Derisa shpirti nuk ka arritur në fyt, dera e Zotit është e hapur. Allahu na thërret:

{ ۞قُلۡ يَٰعِبَادِيَ ٱلَّذِينَ أَسۡرَفُواْ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمۡ لَا تَقۡنَطُواْ مِن رَّحۡمَةِ ٱللَّهِۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَغۡفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًاۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ }

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. [Ez-Zumer: 53]

Vëllezër, ndoshta kemi ardhur sot në xhami duke menduar se duhet të bëjmë edhe një vepër të mirë. Por ndoshta, ajo që na duhet më shumë sot, është të lëmë një gjynah.

Para se të dilni nga kjo derë, merrni një vendim. Mos merrni me vete vetëm një emocion kalimtar.

Thuaj me vete: “Këtë gjë, për hir të Allahut, do ta lë.”

Nëse nuk e ndërpret dot menjëherë, fillo luftën sot.

Mbylle një derë.

Fshije një numër.

Largoje një aplikacion nga telefoni.

Ktheje një borxh.

Kërko falje.

Sepse ndonjëherë, pendimi nuk fillon me lot. Pendimi fillon me një vendim!

O Allah, na ruaj nga gjynahet e mëdha dhe të vogla.

Na i pastro zemrat dhe na i ruaj sytë, gjuhët dhe duart nga harami.

Na bëj prej atyre që kur gabojnë, pendohen; kur bien, ngrihen; dhe kur e shohin të vërtetën, e ndjekin.

 

Hoxhë Hisen Ceka

Xhamia Drita Duisburg

28.08.2026

Share This:
Tags:
Language