Hutbe: Jo gjithçka që kemi është vetëm e jona

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Vëllezër të nderuar!

Nëse ndalemi një moment dhe dëgjojmë se si flasim me njëri-tjetrin çdo ditë, do të vëmë re se fjalët që i përdorim më së shumti janë: “shtëpia ime”, “pasuria ime”, “fëmijët e mi”, “trupi im”, “koha ime”. Ne sillemi në këtë botë sikur të jemi pronarë absolutë të gjithçkaje.
​Por, a jemi vërtet pronarë? E vërteta e madhe që na mëson feja jonë është se ne nuk zotërojmë asgjë. Ne jemi thjesht kujdestarë të përkohshëm. Gjithçka që mendojmë se është “e jona”, në fakt na është dhënë vetëm në mirëbesim nga Krijuesi ynë.

Kur dëgjojmë fjalën “Amanet”, mendja na shkon menjëherë te një shumë parash apo një send me vlerë që një mik na e ka lënë për ta ruajtur. Dhe vërtet, ruajtja e pasurisë së tjetrit është amanet. Por, në fenë tonë, kuptimi i amanetit është shumë më i thellë, shumë më i gjerë dhe përfshin pothuajse çdo aspekt të jetës sonë.
Amanet nuk është vetëm ajo që të lë miku; amanet është trupi yt, koha jote, fëmija që të thërret “baba”, vendi i punës ku merr rrogën, fjala që nxjerr nga goja etj. Jo gjithçka që kemi është vetëm e jona; shumica e gjërave na janë dhënë në përdorim si provë nga i Madhi Zot.

Amaneti është urdhër i Allahut dhe këtë e ka bërë të qartë në Kuranin Famëlartë: „Vërtet, Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u takojnë.“ (En-Nisa, 4:58)

Ky ajet hyjnor vlen për secilin prej nesh, në çdo rrethanë të jetës. Besimtari i vërtetë dallohet nga besueshmëria e tij. Ai nuk e tradhton fjalën, nuk e mashtron ortakun dhe nuk e shpërdoron detyrën.

Amaneti është përgjegjësi dhe secili prej nesh është përgjegjës, ashtu siq thotë Pejgamberi a.s: „Secili prej jush është bari dhe secili do të japë llogari për atë që i është besuar.“ (Buhariu dhe Muslimi)

Kjo do të thotë që në mbretërinë tënde të vogël, ti je bariu. Ti e ke një tufë për të cilën je përgjegjës.
Dhe këtu dua të ndalem te një nga amanetet më të mëdha që kemi ne si prindër. Ne jetojmë dhe punojmë këtu në mërgim, në një dinamikë të shpejtë jete. Shpesh, mendojmë se e kemi kryer amanetin ndaj fëmijëve tanë nëse u kemi siguruar një shtëpi të ngrohtë, rroba të mira, telefona të rinj dhe ushqim me bollëk.

Por, vëllezër, ky është vetëm furnizim. Amaneti i vërtetë është edukimi i tyre! Çfarë dobie ka nëse fëmija yt ka rrobat më të shtrenjta, por nuk di të thotë “Bismilah”? Çfarë dobie ka nëse ti punon 12 orë në ditë për t’i siguruar të ardhmen, por e le atë të rritet nga rrugët, nga interneti dhe nga shoqëria e keqe, pa ia njohur ti shokët dhe pa u ulur një orë me të për t’i folur për Zotin e tij?
Nuk e kemi përmbushur amanetin nëse ja ushqejmë trupin, por ia lëmë shpirtin të uritur. T’i mësosh atij moralin, t’i japësh shembullin e mirë, duke e parë babanë e tij duke u falur dhe duke folur drejt, ky është ruajtja e amanetit të familjes!

Amaneti na ndjek edhe kur dalim nga shtëpia e shkojmë në punë. Si sillemi me punën tonë? Ne këtu në perëndim jemi shembulli i Islamit në vendet ku punojmë. A jemi ne punëtorët më të ndershëm? A e bëjmë punën me hak edhe kur pronari nuk na sheh?
Nëse dikush të paguan për 8 orë punë dhe ti i shpërdoron ato duke mashtruar, ti ke ngrënë hakun e tij dhe ke thyer amanetin e punës. Pra ne e kemi amanet edhe pasurinë që po sjellim në shtëpi, a është e pastër, hallall, pa hile e pa kamatë? Dhe kjo pasuri, ku po shpenzohet? Te familja dhe veprat e mira, apo në harame? E gjithë kjo është amanet!

Dhe mos harroni se për të gjitha këto që përmendëm, do të vijë një Ditë kur do të hapen llogaritë. Nuk do të ketë avokat as dëshmitar të rremë. Pejgamberi ﷺ na e përshkruan këtë moment në mënyrën më drithëruese, duke thënë: „Këmbët e robit nuk do të lëvizin Ditën e Kiametit derisa të pyetet për jetën e tij se si e kaloi, për dijen e tij se çfarë bëri me të, për pasurinë e tij se nga e fitoi dhe ku e shpenzoi, si dhe për trupin e tij se si e përdori.“ (Tirmidhiu)

Ky është gjyqi për amanetet! Do të pyetesh për rininë tënde. Për sytë, veshët dhe shëndetin që Allahu t’i dha falas. Për çdo cent që fute në xhep. Për atë që mësove, sa e praktikove.

Lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej atyre që e ruajnë amanetin! O Zot, na i ruaj familjet dhe fëmijët tanë, na e bëj pasurinë hallall dhe na mundëso që në Ditën e Gjykimit të dalim faqebardhë përballë Teje për ato që na i le në besim! Amin!

 

Imam Hisen Ceka

Xhamia “Drita” Duisburg

06.11.2026

Share This:
Tags:
Language