HUTBE: Fëmijët tanë janë amanet
🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.
🇩🇪 Deutsche Übersetzung
🇸🇦 الترجمة العربية
🇹🇷 Türkçe Çeviri
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Vetëm para dy ditësh, filloi viti i ri shkollor për fëmijët tanë.
Prindërit i përgatitën me kujdes mjetet tyre shkollore si: librat, fletoret, rrobat e reja.
Por sot të nderuar vëllezër, dua që të ja bëjmë një pyetje vetës tonë:
“Ne prindërit, çfarë kemi futur në çantën e tyre përveç librave?”
“A kemi menduar vetëm për atë që do të mësojnë, apo edhe për atë që do të bëhen?”
Allahu i Madhërishëm na drejtohet në Kuran me një urdhër të prerë:
“O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga Zjarri.” (Et-Tahrim, 6)
Vëllezër, Allahu nuk na tha vetëm: ushqejini fëmijët, vishini fëmijët, apo dërgojini në shkollë.
Na dha një përgjegjësi shumë më të madhe: ruajini.
Ne shqetësohemi menjëherë nëse fëmija ka temperaturë 39 gradë…
Por a shqetësohemi po aq kur sëmuret zemra dhe shpirti i tij?
- Prindi nuk është vetëm furnizues, është edukues
Ne prindërit shpesh mendojmë me lista kërkesash materiale:
A ka rroba? A ka ushqim? A ka shkollë? A ka telefon? A ka hyrë në ndonjë kurs?
Por duhet të pyesim për anën tjetër të medaljes:
A ka iman? A ka namaz? A di të dallojë hallallin nga harami? A ka turp? A di të respektojë? A di të thotë “JO” kur të gjithë të tjerët thonë “PO”? A di ku të kthehet kur ka një problem?
I Dërguari i Allahut ﷺ na ka rikujtuar: “Secili prej jush është kujdestar dhe secili prej jush do të pyetet për atë që ka nën kujdes.”
Një ditë do të pyetemi para Allahut jo vetëm sa para fituam për fëmijët tanë, por çfarë bëmë me zemrat e tyre.
Fëmijët tanë duhet të mësojnë, duhet të studiojnë, duhet ta zotërojnë gjuhën, duhet të kenë profesion dhe të kontribuojnë në shoqëri.
Por shkolla nuk mund ta bëjë atë që i takon shtëpisë!
– Shkolla u mëson matematikën >> prindi duhet t’u mësojë drejtësinë.
– Shkolla u mëson gjuhën >> prindi duhet t’u mësojë fjalën e mirë.
– Shkolla u mëson profesionin >> prindi duhet t’u mësojë përgjegjësinë.
– Shkolla u jep dije >> familja duhet t’u japë drejtim.
Vëllezër, ne e dimë se jeta në gurbet nuk është e lehtë.
Ka prindër këtu mes nesh që punojnë me dy turne. Baballarë që dalin pa zbardhur drita e kthehen vonë. Nëna që mbajnë mbi supe shtëpinë, fëmijët dhe mijëra përgjegjësi. Ka një lodhje fizike e psikologjike që nuk shihet.
Por fëmija nuk e mat dashurinë tonë me sa orë kemi punuar për të. Ai e ndien dashurinë nga koha që kemi kaluar me të.
Le t’i bëjmë vetes një pyetje me sinqeritet:
Sa minuta në ditë flasim me fëmijën tonë pa telefon në dorë?
Sepse sot kemi një mysafir të papagueshëm që po hyn gjithnjë e më thellë në shtëpitë tona: Telefoni dhe Teknologjia.
Telefoni nuk është domosdoshmërisht armik. Interneti dhe Inteligjenca Artificiale nuk janë automatikisht të këqija. Aty ka dije, punë dhe mundësi.
Problemi fillon kur ne ia japim telefonit atë që duhet t’ia japim fëmijës: i japim kohën tonë, vëmendjen tonë, qetësinë e fëmijës dhe edukimin e tij… Dhe pastaj çuditemi pse telefoni është bërë shoku i tij më i mirë!
Mendojeni një skenë të thjeshtë:
Fëmija vjen nga shkolla. Hyn në shtëpi. Nëna është e zënë me punë, babai ende në punë. Fëmija ulet. Hap telefonin. Fillon një video… pastaj një tjetër… një lojë… kalojnë dy orë.
Kush po e rrit këtë fëmijë gjatë atyre dy orëve?
Nëse ne nuk jemi aty për ta rritur, dikush tjetër do të jetë.
- Bëjeni shtëpinë vend ku fëmija kthehet kur ka frikë
Ndërtoni një lidhje aq të fortë me fëmijën, sa që ai sa herë të ketë probleme të kthehet te ti.
Ndoshta fëmija ynë një ditë do të ketë një problem që ne nuk e dimë.
Ndoshta dikush e ka ofenduar në shkollë. Ndoshta po e bullizojnë. Ndoshta ka parë diçka të frikshme apo të dëmshme në internet. Ndoshta ka një pyetje për fenë apo identitetin që nuk guxon ta bëjë.
Pyetja është: Nëse ai ka frikë të na tregojë neve, kujt do t’i tregojë?
Prandaj, mos e bëni shtëpinë vetëm një vend ku fëmija qortohet e dënohet! Bëjeni shtëpinë vendin ku ai kthehet me vrap kur ka frikë!
Fëmijët tanë këtu në diasporë do të rriten mes dy botëve. Do ta dëgjojnë gjermanishten çdo ditë në rrugë e shkollë. Kjo është normale. Por në shtëpi duhet ta dinë se kush janë.
T’u mësosh gjuhën amtare nuk është turp. T’ua mësosh fenë nuk është pengesë për integrim. T’i mësosh të respektojnë vendin ku jetojnë nuk do të thotë t’i bësh të harrojnë rrënjët.
Fëmija ynë duhet të mësojë të jetojë mirë në këtë vend, pa harruar prej nga vjen dhe, mbi të gjitha, kujt i takon.
Sot teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund t’i japin fëmijës çdo përgjigje brenda sekondave, por ajo nuk mund t’ia japë urtësinë e as moralin për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Për këtë ai ka nevojë për prindin!
Të nderuar vëllezër!
Nuk dua që sot të dalim nga xhamia vetëm duke thënë: “Sa mirë foli imami për edukimin.”
Dua që secili prej nesh sot të marrë pesë vendime praktike:
- Një kohë çdo ditë vetëm për fëmijën: Pa punë, pa televizor, pa telefon.
- Sofra pa telefona: Kur ulemi të hamë bukë, ekranet fiken.
- Telefoni nuk fle në dhomën e fëmijës: Pajisjet lihen jashtë dhomës së gjumit natën.
- Namazi dhe lidhja me Zotin: Të fali së paku një namaz në ditë bashkë me fëmijët në shtëpi.
- Një bisedë e lirë javore: Të ulemi e ta dëgjojmë fëmijën pa e gjykuar dhe pa e qortuar, thjesht ta dëgjojmë.
Dhe mos kërkoni prej fëmijës të bëjë atë që ne si prindër nuk jemi të gatshëm ta bëjmë vetë!
Një ditë, o vëllezër, fëmijët tanë nuk do të kenë më nevojë për ne për t’ua lidhur këpucët. Nuk do të kenë nevojë për ne për t’ua përgatitur çantën. Do të rriten e do të marrin rrugën e tyre.
Por ajo që do të mbetet përgjithmonë te ta, është ajo që u kemi mbjellë në zemër.
O Allah, ne nuk dimë t’i ruajmë gjithmonë fëmijët tanë, prandaj po t’i dorëzojmë Ty në mbrojtje!
O Zot, ruaji ata kur janë në shkollë dhe kur janë në rrugë! Ruaji kur jemi pranë tyre dhe kur jemi larg tyre!
Ruaji nga shoqëria e keqe, nga përmbajtjet e dëmshme, nga veset dhe nga humbja e besimit!
O Allah, na fal ne prindërit kur kemi qenë të zënë me dunjanë dhe kemi harruar të ulemi me fëmijët tanë!
Na jep kohë e urtësi për t’i edukuar, na jep durim për t’i dëgjuar dhe na bëj shembullin më të mirë për ta!
O Zoti ynë, na dhuro prej bashkëshorteve tona dhe pasardhësve tanë gëzim për sytë tanë dhe na bëj shembull për të devotshmit!”
Amin!
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia Drita Duisburg
04.09.2026