Hutbe: Dy drejtime, ti kë e zgjedh?

Të nderuar besimtarë!

Çdo njeri në këtë botë jeton mes ndikimeve të shumta. Familja dëshiron diçka prej tij. Shoqëria dëshiron diçka tjetër. Reklamat, rrjetet sociale, politika dhe kultura moderne përpiqen vazhdimisht ta drejtojnë jetën tonë në një drejtim të caktuar. Por, Kur’ani na tregon se, kur zhvishen të gjitha këto shtresa, në fund ekzistojnë vetëm dy projekte për jetën e njeriut:

E para: projekti i Allahut për robin e Tij dhe e dyta: projekti i pasuesve të epsheve.
Edhe ne që jemi ulur sot në këtë xhami, nuk jemi jashtë kësaj përballjeje. Çdo ditë zgjohemi dhe dikush përpiqet ta fitojë zemrën tonë. Pyetja është: kush do ta fitojë atë? Kush po e drejton jetën tonë sot?

Dëgjoni me vëmendje se si e përmbledh Allahu i Madhërishëm këtë luftë në një ajet të vetëm:
وَاللَّهُ يُرِيدُ أَن يَتُوبَ عَلَيْكُمْ ۖ وَيُرِيدُ الَّذِينَ يَتَّبِعُونَ الشَّهَوَاتِ أَن تَمِيلُوا مَيْلًا عَظِيمًا
Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë. (En-Nisa, 27)
Në këtë ajet, fjala “يُرِيدُ” (dëshiron) përsëritet dy herë. Allahu dëshiron… Ata dëshirojnë… Në këtë jetë, pyetja nuk është nëse do të ndikohesh, sepse ndikimi është i pashmangshëm. Pyetja e vërtetë është: nga kush po ndikohemi?

 

Vullneti i Allahut

Vini re diçka madhështore te ky ajet. Allahu nuk e fillon thirrjen e Tij me ndëshkim. Nuk e fillon as me mallkim, as duke na turpëruar për gabimet e së kaluarës. Ai e fillon drejtpërdrejt me pranimin e pendimit. Kjo na tregon se marrëdhënia e Allahut me robin e Tij është e ndërtuar mbi themelin e mëshirës.
Ne jemi njerëz, dhe si të tillë, jemi të prirur të gabojmë. Ashtu siç na kujton i Dërguari i Allahut ﷺ:
كُلُّ بَنِي آدَمَ خَطَّاءٌ، وَخَيْرُ الْخَطَّائِينَ التَّوَّابُونَ.
Të gjithë bijtë e Ademit gabojnë, e më të mirët prej tyre janë ata që pendohen.
Sa dallim i madh mes Allahut dhe njerëzve! Njeriu: kur ti gabon një herë ndaj tij, mund të mos të flasë më. Allahu: sa herë që ti kthehesh, ta hap derën përsëri.

 

Zëri i Epshit (الشَّهَوَاتِ)

Kush janë “ata që ndjekin epshet”?
Kur dëgjojmë fjalën “epshe”, shpesh mendja na shkon vetëm te imoraliteti. Por në Kur’an, ky koncept është shumë më i gjerë. (الشَّهَوَاتِ) Epshi është çdo pasion që njeriu e vendos mbi udhëzimin e Allahut. Ai mund të jetë pasuria, fama, karriera e shfrenuar, kënaqësia e momentit, egoja e fryrë, apo qoftë edhe një ideologji.
Në kohën tonë dëgjojmë shpesh slogane si: “Jeto vetëm një herë”, “Bëje atë që të pëlqen”, “Mos lejo askënd të të vendosë kufij”. Në pamje të parë tingëllojnë si liri, por kur shkëputen nga udhëzimi i Allahut, mund ta çojnë njeriun drejt robërisë së epshit. Dhe tipari më i rrezikshëm i epshit është se ai nuk të thotë kurrë: “Mjafton”. Ai gjithmonë të kërkon të hedhësh edhe një hap më larg.
Prandaj, çdo besimtar duhet të ndalet dhe të pyesë veten përsëri: Kush po e drejton jetën time sot?

 

Devijimi i Madh

Dhe pikërisht këtu vijmë tek pjesa më interesante e ajetit. Allahu nuk tha që ata duan “të gaboni”. Ai tha: (أَن تَمِيلُوا مَيْلًا عَظِيمًا)duan që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.
Pse? Sepse devijimi i njeriut rrallëherë fillon menjëherë me një mëkat të madh. Ai fillon me një kompromis shumë të vogël. Një namaz i lënë pas dore. Pastaj dy. Pastaj rënia e rëndësisë së xhumasë. Pastaj shpërfillja e Ramazanit.

Mendojeni si një anije që lundron në oqean. Nëse ajo anije e devijon kursin e saj vetëm me një gradë, në kilometrat e parë asgjë nuk duket ndryshe. Udhëtarët mendojnë se po ecin drejt destinacionit të tyre. Por, pas mijëra kilometrash, anija përfundon në një kontinent krejt tjetër.
………………………………
Askush nuk zgjohet një mëngjes duke thënë: “Sot dua të humbas fenë time.” Humbja fillon me devijime të vogla që përsëriten.

Të nderuar vëllezër, pasi e kuptuam këtë përplasje mes dy vullneteve, lind pyetja: Si mund ta mbrojmë veten dhe familjet tona praktikisht? Zgjidhja qëndron te tre gjëra:
1. Mos lejo që zemra të mësohet me mëkatin
Normalizimi i të keqes fillon pikërisht aty: kur zemra mësohet me të. Sot problemi nuk është vetëm se bëhet mëkati, por se ai reklamohet, lavdërohet dhe kthehet në modë. Për një besimtar, vlera nuk matet me atë që është në modë, por matet me kriterin: a është hallall apo është haram.
2. Zgjidh shoqërinë tënde
Epshet përhapen si zjarri. Por edhe mirësia përhapet po ashtu. Nëse do ta dish se ku do të jesh pas pesë vitesh, shiko me kë rri sot. Prandaj Profeti ﷺ tha:
اَلْمَرْءُ عَلَى دِينِ خَلِيلِهِ، فَلْيَنْظُرْ أَحَدُكُمْ مَنْ يُخَالِلُ.
Njeriu është në fenë e mikut të tij, prandaj le të shikojë secili prej jush se kë bën mik.”
3. Mos e humb kurrë shpresën
Edhe nëse anija jote ka devijuar paksa, mos e dëgjo shejtanin kur të thotë: “Nuk bëhesh më”.
Dëgjojeni edhe një herë se çfarë thotë Zoti juaj…
﴿وَاللَّهُ يُرِيدُ أَن يَتُوبَ عَلَيْكُمْ﴾
Dhe Allahu dëshiron t’jua pranojë pendimin.
Ai nuk e ka ndryshuar dëshirën e Tij!

Vëllezër! Kush po e drejton jetën tonë sot? Kjo është pyetja me të cilën duhet të jetojmë.
Prandaj, kur të dilni sot nga kjo xhami, mos harroni se beteja nuk fillon nesër. Ajo fillon sapo të hapni telefonin, sapo të takoni njerëzit, sapo të hyni në vendin e punës. Çdo ditë do të ketë një zë që ju fton drejt Allahut dhe një zë që ju fton drejt epshit. Lutjuni Allahut që zemra juaj ta njohë gjithmonë zërin e Tij.
O Allah! Bëje zemrën tonë ta dojë atë që Ti do, dhe ta urrejë atë që Ti e urren.
O Allah! Na e prano pendimin dhe mos na bëj prej atyre që largohen nga rruga Jote.
Na ruaj ne, familjet tona dhe fëmijët tanë, dhe na bëj të jemi gjithmonë në mbrojtjen dhe mëshirën Tënde. Amin!

Hoxhë Hisen Ceka

Xhamia Drita Duisburg, 07.08.2026

Share This:
Tags:

Leave Your Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *