HUTBE: Çfarë kemi marrë me vete nga udhëtimi i jetës?

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Vëllezër të dashur!

Njeriu gjatë jetës së tij bën shumë udhëtime. Përgatitet për të udhëtuar drejt vendlindjes, për të udhëtuar për pushime apo për të shkuar në një vend tjetër për punë. Dhe kur kemi një udhëtim përpara, çfarë bëjmë?

E kontrollojmë biletën, përgatitim dokumentet, shikojmë orarin e nisjes, përgatisim valixhen, mendojmë se çfarë na duhet gjatë rrugës dhe sigurohemi që të mos harrojmë diçka të rëndësishme. Askush nuk dëshiron të niset për një udhëtim të rëndësishëm pa u përgatitur.

Por sot dua të flas për një udhëtim që është shumë më i rëndësishëm se çdo udhëtim tjetër. Udhëtimin e jetës sonë drejt ahiretit!

Vëllezër, nëse për udhëtimet e kësaj bote që e dimë kohën e nisjes, e dimë ku duam të shkojmë, megjithatë, përgatitemi për rrugën.

Por për udhëtimin e jetës tonë drejtë ahiretit, a mendojmë sa duhet?

E dimë se do të vijë dita kur do të largohemi nga kjo botë, por a jemi duke u përgatitur për atë ditë?

E dimë se pas kësaj jete ka llogari para Allahut, por a i kushtojmë vëmendjen e duhur asaj që do të na shërbejë në atë llogari?

Prandaj kjo është pyetja që secili prej neve duhet me ja bërë vetës: Çfarë jam duke përgatitur për ahiretin?

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:„Pajisuni me furnizim, por furnizimi më i mirë është devotshmëria. (El-Bekare, 2:197.)

Vëllezër të nderuar!

Ky ajet gjendet në kontekstin e ajeteve që flasin për haxhin. Allahu i udhëzon njerëzit të përgatiten me furnizimin e nevojshëm për udhëtimin e haxhit dhe, njëkohësisht, ua kujton se furnizimi më i mirë është devotshmëria.

Ky është një mësim i madh për jetën tonë.

Për udhëtimin fizik na nevojitet furnizim material. Për udhëtimin drejt ahiretit na nevojitet besimi, devotshmëria dhe veprat e mira.

Njeriu mund të ketë një valixhe të mbushur me rroba, por nëse nuk ka dokumentet e nevojshme, mund të mos e përfundojë udhëtimin ashtu siç e kishte planifikuar.

Në jetën tonë shpirtërore, pasuria, pozita dhe gjërat materiale nuk mund ta zëvendësojnë besimin dhe veprat e mira.

Nuk është problem të kemi shtëpi të mirë. Nuk është problem të punojmë për të ardhura të ndershme. Nuk është problem të dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Përkundrazi, njeriu duhet të kujdeset për familjen e tij dhe t’i përmbushë përgjegjësitë që ka.

Por problemi fillon kur përgatitemi vetëm për këtë botë dhe harrojmë ahiretin.

Kur kujdesemi që fëmijët tanë të kenë arsimim, por nuk kujdesemi për edukimin e tyre moral dhe fetar.

Kur shqetësohemi për çdo shpenzim të shtëpisë, por nuk shqetësohemi nëse po e lëmë pas dore namazin.

Kur e dimë saktësisht sa para kemi fituar gjatë muajit, por nuk ndalemi të mendojmë se si e kemi kaluar kohën dhe çfarë kemi bërë me përgjegjësitë tona.

Prandaj Allahu na kujton se kjo botë është vendi i veprave, jo vend i qëndrimit të përhershëm:„Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota në Ditën e Kiametit.“ (Ali Imran, 3:185.)

Vëllezër të dashur!

Ky ajet na kujton një të vërtetë që nuk ndryshon: çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Nuk ka rëndësi se ku jetojmë. Nuk ka rëndësi se çfarë pune bëjmë, sa kemi fituar apo çfarë pozite kemi arritur. Të gjithë jemi udhëtarë në këtë botë.

Dikush është në fillim të rrugës së tij. Dikush ka kaluar shumë vite. Dikush mendon se ka ende shumë kohë përpara. Por askush prej nesh nuk e di se sa kohë i është caktuar.

Prandaj, nuk duhet ta ndërtojmë jetën sikur të mos kemi për të dhënë llogari për të.

Nuk duhet të sillemi sikur kemi ardhur në këtë botë vetëm për të punuar, për të fituar, për të ngrënë, për të ndërtuar dhe për të grumbulluar.

Ne jemi krijuar për të adhuruar Allahun, për të bërë vepra të mira dhe për t’i përmbushur përgjegjësitë tona.

Allahu nuk na kërkon që ta braktisim jetën e kësaj bote. Na kërkon që ta jetojmë, atë në mënyrën e duhur.

>> Të punojmë, por me ndershmëri.

>> Të fitojmë, por hallall.

>> Të ndërtojmë shtëpi, por të mos harrojmë namazin brenda tyre.

>> T’i duam fëmijët, por t’i edukojmë edhe me vlera.

>> Të kujdesemi për prindërit, bashkëshortët, fqinjët dhe të afërmit.

>> Të mos e harrojmë Allahun në ditët e mira dhe as në ditët e vështira.

Nuk është çështja se sa kemi arritur të grumbullojmë në këtë botë, por edhe çfarë kemi bërë me atë që na është dhënë.

Pejgamberi ﷺ i ka dhënë një këshillë të jashtëzakonshme Abdullah ibn Umerit r.a.: “Jeto në këtë botë sikur të jesh i huaj ose kalimtar rruge.’ (Buhariu)

Çfarë do të thotë kjo?

A do të thotë se duhet ta braktisim familjen? Jo.

A do të thotë se nuk duhet të punojmë, të ndërtojmë shtëpi apo të kujdesemi për të ardhmen? Jo.

Kjo do të thotë se nuk duhet të mashtrohemi nga përkohshmëria e kësaj bote dhe të harrojmë qëllimin tonë.

Mendoni për një udhëtar që është nisur drejt një destinacioni. Ai mund të pushojë gjatë rrugës, mund të hajë dhe të pijë, mund të shijojë bukurinë e vendeve nëpër të cilat kalon. Por ai nuk e harron destinacionin e tij.

Nëse ndalet diku gjatë rrugës, kjo nuk do të thotë se e ka harruar vendin ku duhet të arrijë. Kështu duhet të jetë edhe jeta jonë.

Ne mund ta shijojmë jetën, të gëzohemi me familjet tona, të punojmë dhe të përpiqemi për një të ardhme më të mirë. Por nuk duhet ta harrojmë ahiretin.

Kjo nuk është thirrje për frikë të vazhdueshme. Është thirrje për përgjegjësi.

Nëse kemi mundësi të falim namazin sot, të mos e lëmë për një të ardhme të pasigurt.

Nëse mund të pajtohemi me një familjar, të mos e shtyjmë pajtimin pa arsye.

Nëse kemi mundësi t’i kushtojmë kohë fëmijës sonë, të mos e zëvendësojmë gjithmonë praninë tonë me para dhe dhurata.

Nëse mund të bëjmë një vepër të mirë, të mos presim gjithmonë një rast tjetër.

Sepse koha që kalon nuk kthehet më. Prandaj tha Pejgamberi ﷺ : „Dy begati në të cilat shumë njerëz janë në humbje janë shëndeti dhe koha e lirë.“ (Buhariu)

Shëndeti është begati, por shpesh e kuptojmë vlerën e tij vetëm kur sëmuremi.

Koha është begati, por shpesh e kuptojmë vlerën e saj vetëm pasi të ketë kaluar.

Sa herë themi: „Nesër do të filloj të falem rregullisht.“

„Nesër do të lexoj Kur’an.“

„Nesër do të merrem më shumë me fëmijët.“

„Nesër do ta vizitoj një të afërm.“

„Nesër do të përmirësohem.“

Dhe kështu kalojnë ditët, javët e muajt.

Dhe vjen një moment kur njeriu largohet nga kjo botë, çfarë mbetet prej tij?

Shtëpia mbetet, pasuria mund të mbetet, puna që ka bërë mund të vazhdojë nga të tjerët.

Por çfarë ndodh me veprat e tij? Janë vetëm veprat, ato që i merr me vete.

Prandaj, mos ta shtyjmë të mirën pa arsye.

Le të përgatitemi për udhëtimin e ahiretit me besim, devotshmëri, adhurim, vepra të mira dhe sjellje të ndershme.

Sepse pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm se ku kemi arritur në udhëtimin e kësaj bote, por edhe me çfarë jemi duke u përgatitur për takimin me Allahun.

Para se të largohemi nga xhamia, dua që secili prej nesh ta marrë me vete një vendim konkret.

Vendimi i parë: Ta përmirësojmë lidhjen tonë me Allahun.

Le të kujdesemi për namazin, për lutjen, për leximin e Kur’anit dhe për pendimin. Nëse kemi mangësi, të fillojmë të punojmë për t’i përmirësuar.

Vendimi i dytë: Të kujdesemi më shumë për familjen tonë.

Le t’u kushtojmë kohë fëmijëve, t’i dëgjojmë, t’i edukojmë dhe të përpiqemi të jemi shembull i mirë për ta. Le të mos e matim suksesin tonë vetëm me atë që u sigurojmë materialisht.

Vendimi i tretë: Të bëjmë një vepër të mirë që mund të vazhdojë të sjellë dobi.

Mund të jetë një dije që ia mësojmë dikujt, një ndihmë që ia japim një njeriu në nevojë, një kontribut për një vepër të dobishme apo një përpjekje për të edukuar një fëmijë.

Le ta fillojmë me atë që kemi mundësi ta bëjmë.

Nuk kemi nevojë të presim derisa të ndryshojë e gjithë jeta jonë. Mund të fillojmë me një hap të vogël, të sinqertë dhe të qëndrueshëm.

Allahu na dhëntë sukses që ta shfrytëzojmë jetën në atë që është e dobishme për fenë, familjen dhe shoqërinë tonë.

 

Hoxhë Hisen Ceka

Xhamia “Drita” Duisburg (30.10.2026)

Share This:
Tags:
Language