Hutbe: Çfarë dëshiron Allahu për ne?
Hyrja
Të dashur vëllezër, shpesh në rrugëtimin e kësaj jete, njeriu ndalet dhe i bën vetes pyetje të mëdha: Çfarë dua unë nga jeta ime? Çfarë pret familja dhe rrethi prej meje?
Por, a e kemi pyetur ndonjëherë vetën:”Çfarë dëshiron Allahu për mua?”
Allahu i Madhërishëm na tregon Vetë, në Kur’anin famëlartë, se cili është vullneti i Tij për ne:
يُرِيدُ اللَّهُ لِيُبَيِّنَ لَكُمْ وَيَهْدِيَكُمْ سُنَنَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ وَيَتُوبَ عَلَيْكُمْ ۗ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ
Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet, t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush (pejgamberëve) dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. (En-Nisa, 26)
Në këtë ajet, Allahu i lartësuar po na jep tri dhurata madhështore:
a. Ai fillimisht na e sqaron të vërtetën që ta njohim;
b. pastaj na udhëzon në të që ta jetojmë;
c. dhe në fund, edhe kur ne lëkundemi apo gabojmë në këtë rrugë, Ai na e pranon pendimin që të mos humbasim kurrë shpresën.
Dija dhe Qartësia
E para: (يُبَيِّنَ لَكُمْ) Allahu dëshiron t’ju sqarojë.
Shumë njerëz sot mendojnë se feja është një grumbull rregullash që të bllokojnë frymëmarrjen. Por shikoni fjalët hyjnore! Allahu nuk thotë: “Dua t’ju rëndoj,” por thotë: “Dua t’ju sqaroj.” Feja nuk është errësirë, feja është dritë.
Thotë Allahu i lartësuar:
قَدْ جَاءَكُمْ مِنَ اللَّهِ نُورٌ وَكِتَابٌ مُبِينٌ
Tashmë ju ka ardhur nga Allahu një dritë dhe një Libër i qartë. (El-Maide, 15)
Jetojmë në një kohë ku fëmijët tanë, të rinjtë tanë, bombardohen me lloj lloj lajmi çdo ditë. Si një prind që jam, dhe si dikush që e njeh mirë botën e mediave sociale apo krijimin e videove online, e di se sa e fortë është fuqia e ekranit. Çdo ditë vijnë dhjetëra mesazhe nga TikTok-u, nga Instagrami, nga shkolla, nga rrethi… dhe secili i thotë të riut: “Kjo është e vërteta.”
Ndërsa Allahu na thotë: Unë dua t’jua sqaroj të vërtetën.
Prandaj, vëllezër, një mysliman nuk e merr fenë e tij, as moralin e tij, nga algoritmi i internetit. Nuk e merr as nga emocionet e momentit, e as nga tradita e verbër. E merr nga Kurani dhe Suneti i pastër. Siç ka thënë sahabiu i ndershëm Abdullah Ibn Mesud: Kush dëshiron ta ndjekë një rrugë, le ta ndjekë rrugën e atyre që kanë vdekur (sahabëve), sepse i gjalli nuk është i sigurt nga sprova.
Udhëzimi dhe Identiteti
E dyta: (وَيَهْدِيَكُمْ سُنَنَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ) Allahu dëshiron t’ju udhëzojë në rrugën e atyre (pejgamberëve) para jush.
Kjo është një mrekulli. Zoti nuk na krijoi një rrugë të re të panjohur. Ai na lidhi me karvanin e profetëve dhe të drejtëve.
Disa nga ne janë këtu në Gjermani prej vitesh, e disa, si unë, mund të kenë ardhur së fundmi, duke lënë pas xhematet tona në Kosovë. Por, a ka ndryshuar feja jonë? Jo. Në Kosovë Kibla është një. Në Gjermani, po ajo Kible. Në Mekë, po ajo Kible. Ndryshon gjuha, ndryshon klima, ndryshon kultura e punës, por nuk ndryshon rruga drejt Allahut.
Kur shikoj djemtë e mi, njëri që përgatitet të nisë klasën e parë këtë shtator dhe tjetri që po i afrohet adoleshencës, dua që t’ua mbjell këtë siguri në zemër, por gjithashtu nëpërmjet kësaj hutbe dua të përcjelli këtë mesazh dhe tek ju, e ai mesazh është: Mos kini kompleks! Fëmijët tanë mund të jenë qytetarët më të dobishëm dhe më shembullorë të këtij shteti, dhe njëkohësisht, të mbeten myslimanë krenarë, me ballin në sexhde. Identiteti islam nuk e pengon të qenurit njeri i mirë në diasporë; përkundrazi, e zbukuron atë! Për këtë rrugë Allahu thotë:
وَأَنَّ هَذَا صِرَاطِي مُسْتَقِيمًا فَاتَّبِعُوهُ
Dhe kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni atë…(El-En’am, 153)
Mëshira dhe Pendimi
E treta: (dhe këtu është kulmi i dashurisë hyjnore) (وَيَتُوبَ عَلَيْكُمْ) Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin.
Vëllezër, dëgjojeni mirë: Allahu nuk tha thjesht: Pendohuni dhe ndoshta ju fal. Ai tha: Dua, kam vullnet, dëshiroj t’jua pranoj pendimin! Dhe ky është Zoti ynë i mëshirshëm, i Cili siq transmetohet në një hadith kudsij, thotë: O biri i Ademit, sikur mëkatet e tua të arrinin retë e qiellit, pastaj të kërkoje falje prej Meje, Unë do të të falja.
Të gjithë ne kemi ardhur në këtë vend apo në këtë xhami me bagazhet tona. Dikush ka ardhur me plagë të vjetra, me gabime, me namaze të vonuara, me borxhe morale apo me lidhje familjare të lënduara. Por, sado e rëndë të jetë barra jote, dera e Tij është e hapur. Kjo është madhështia e Islamit.
Pra, në një ajet të vetëm, Zoti na tregon se nuk e dëshiron humbjen apo lodhjen tonë.
• Ai dëshiron të na sqarojë (që të dimë).
• Ai dëshiron të na udhëzojë (që të veprojmë).
• Ai dëshiron të na falë (kur të gabojmë).
Nëse Allahu i Madhërishëm dëshiron këto tri gjëra të mëdha për ne, atëherë e logjikshme është që edhe ne t’i përgjigjemi Atij me tri vepra konkrete nga ana jonë:
- E para: Ta kërkojmë dijen: Të mos e lëmë Kuranin vetëm si një dekor në raftet e shtëpive tona. Le të mos kalojë java pa mësuar një ajet, një hadith, ose diçka të re nga feja jonë.
- E dyta: Ta ndjekim rrugën e drejtë: Të mos jemi nga ata që ndjekin thjesht rrugën që bën shumica, por të jemi nga ata që ndjekin rrugën që e do Allahu, pa marrë parasysh sfidat e ambientit ku jetojmë.
- E treta: Të mos dëshpërohemi kurrë: Ndoshta, sot, këtë ditë xhumaje, dikush ka hyrë në këtë derë me një barrë të rëndë mëkatesh apo mërzie në zemër. Të dashur xhematlinj, le të dalim që këtu me shpresë të plotë te Mëshira e Tij.
Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet, t’ju drejtojë në rrugën e atyre (pejgamberëve) që ishin para jush dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. (En-Nisa, 26)
O Allah, na shto dije të dobishme dhe na e bëj të qartë të vërtetën.
Na bëj të qëndrueshëm në rrugën e drejtë, ne dhe familjet tona.
O Zot, na i prano pendimet dhe fali gabimet tona.
Na ruaj ne dhe fëmijët tanë në këtë vend, dhe bëji shtëpitë tona shtëpi të imanit dhe paqes.
Mëshiroji prindërit tanë, të gjallët dhe ata që kanë kaluar në botën tjetër.
Përmirësoje gjendjen e këtij xhemati dhe mbarë umetit Islam. Amin!
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia Drita Duisburg, 31.08.2026


Leave Your Comments