Hutbe: Asnjë e mirë nuk humbet te Allahu

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Të nderuar vëllezër!

Tashmë jemi kthyer plotësisht në rutinën e vjeshtës. Shkollat kanë filluar, puna ka marrë ritmin e saj të plotë, ditët po shkurtohen dhe lodhja e përditshme fillon të ndihet.

Njeriu shpesh jep shumë nga vetja. Punon gjithë ditën për familjen, ndihmon një mik në nevojë, jep një kontribut për xhaminë, mundohet të bëjë një punë të mirë…

Por, ka momente kur shejtani i pëshpërit njeriut:

Nuk ia vlenë, askush nuk po e sheh, askush nuk po të thotë faleminderit, njerëzit janë mosmirënjohës…

Dhe pikërisht në këtë moment dëshpërimi, Allahu i Madhërishëm na jep një nga ajetet më shpresëdhënëse në të gjithë Kuranin.

“Vërtet, Allahu nuk i bën askujt padrejtësi as sa pesha e një thërrmije; nëse dikush bën një vepër të mirë, Ai ia shumëfishon atë dhe jep nga Vetja e Tij një shpërblim të madh.” (En-Nisa, 40)

Në këtë ajet Allahu e përmend fjalën (ذَرَّةٍ), thërrmijë.

Çfarë është “dherrah“? Është ajo grimca e pluhurit që shihet duke fluturuar në ajër kur rrezet e diellit hyjnë nga dritarja. Një grimcë që nuk ka as peshë, as vlerë në sytë tanë.

Allahu thotë: Edhe sikur e mira jote të jetë sa ajo grimcë pluhuri, Unë nuk e humb!

 

Vëllezër të dashur!

Cili është ndryshimi mes njerëzve dhe Allahut?

Nëse ti u bën njerëzve 99 të mira dhe gabon 1 herë, njerëzit do t’i harrojnë të 99-at dhe do të të kryqëzojnë për atë 1 gabim. Kjo është natyra njerëzore.

Por Allahu?

Allahu është ndryshe. Ai mbulon 99 gabime të tuat nëse pendohesh, dhe e merr atë 1 vepër të mirë, e rrit, e shumëfishon dhe të fut në Xhenet me të!

I Dërguari i Allahut ﷺ na ka thënë: “Mos e nënvlerëso asnjë vepër të mirë, qoftë edhe ta takosh vëllain tënd me fytyrë të buzëqeshur.” (Muslimi)

Ndoshta një buzëqeshje që ia ke dhënë një të mërzituri.

Ndoshta një degë ferre që e ke hequr nga rruga.

Ndoshta një kafshatë ushqimi që ia ke çuar familjes tënde me djersë hallalli.

Askush nuk t’i bëri një foto. Askush nuk të shkroi një lajm. Por melaiket e shkruan, dhe Allahu e vulosi!

Të nderuar vëllezër 

Javën e kaluar folëm për rëndësinë e xhamisë. Le t’ju tregoj sot një histori të vërtetë nga koha e Profetit ﷺ që lidhet fiks me këtë ajet.

Në Medine jetonte një grua e varfër. Ajo nuk ishte e pasur që të jepte sadaka, nuk ishte dijetare që të jepte mësim, nuk ishte as prijëse. Ishte një person i thjeshtë, që ndoshta askush nuk ia vinte veshin.

Por ajo kishte marrë përsipër një detyrë: Pastrimin e xhamisë së Profetit ﷺ. Ajo mblidhte mbeturinat dhe fshinte pluhurin (grimcat).

Një natë, kjo grua ndërroi jetë. Sahabët, duke menduar se ishte mesnatë dhe se funerali i saj nuk ishte ndonjë “ngjarje e madhe”, e falën dhe e varrosën pa e zgjuar Profetin ﷺ nga gjumi.

Të nesërmen, Profeti ﷺ e vuri re mungesën e saj. Pyeti: “Ku është ajo gruaja?”

Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ajo vdiq mbrëmë dhe ne e varrosëm.”

Profeti ﷺ u prek thellë dhe u tha me ton të ashpër: “Pse nuk më lajmëruat?!”

Pastaj tha: “Më çoni te varri i saj!” Ai shkoi te varri, u lut për të dhe falën namazin e xhenazes përsëri.

Vëllezër! Pse ky njeri i madh, udhëheqësi i shtetit dhe Pejgamberi i Zotit, shkoi te varri i një gruaje të panjohur?

Sepse ajo pastronte shtëpinë e Zotit! Njerëzit mund ta kenë parë punën e saj si të parëndësishme (“mblidhte pluhur”), por te Allahu dhe i Dërguari i Tij, vepra e saj peshonte sa malet!

Ky është Zoti ynë! Ai nuk e humb “peshën e thërrmijës”.

Nuk mbaron me kaq. Allahu në ajet nuk thotë vetëm “Unë e ruaj të mirën”.

Ai thotë: “يُضَاعِفْهَا – Ai ia shumëfishon atë!”

SubhanAllah, shikoni mëshirën e Allahut:

Ti bën një të mirë… Allahu ta shkruan 10.

Nëse sinqeriteti yt është i madh… ta shkruan 700.

Dhe nëse sakrifica jote është e madhe… Ai ta shumëfishon pa llogari fare!

Siç thotë Allahu në ajetin tjetër:

Shembulli i atyre që japin pasurinë e tyre në rrugën e Allahut, është si shembulli i një kokrre gruri që mbin shtatë kallinj, dhe në çdo kalli ka njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon shpërblimin atij që dëshiron…” (El-Bekare, 261)

 

Të nderuar vëllezër! Ky ajet që e prezentuam para juve, na i përcjellë tri porosi:

E para: Mos u ndal së bëri mirë, edhe nëse askush nuk të thotë “Faleminderit”.

Ndoshta bashkëshortja nuk ta di vlerën e lodhjes. Ndoshta fëmijët nuk ta kuptojnë sakrificën. Ndoshta në punë pronari gjerman nuk të vlerëson sa duhet. Ndoshta xhemati i xhamisë nuk ta sheh kontributin.

Mos u mërzit! Ti nuk po punon për pëlqimet e njerëzve. Ti e ke lidhur kontratën me Atë që “nuk bën padrejtësi as sa një thërrmijë”.

Kur bëjmë mirë, ne themi fjalët e Kuranit:

“Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut; nuk kërkojmë prej jush as shpërblim e as falënderim!” (El-Insan, 9)

 

E dyta: Bëje punën tënde të përditshme Ibadet.

Nuk ka nevojë të jesh gjithë ditën në xhami për të bërë vepra të mira.

Kur ti zgjohesh në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë. Kur djersin për të nxjerrë riskun e hallallit, që të mos i shtrish dorën askujt dhe të ushqesh familjen tënde — me një nijet (qëllim) të pastër, ato 8 orë pune i kthehen në adhurim (ibadet) te Allahu! Edhe ajo është “vepër e mirë” që shumëfishohet.

 

E treta: Mos e nënvlerëso asnjë gjë të vogël.

Shtrija dorën vëllait tënd, jepja dikujt një fjalë të ngrohtë, fale një gabim të vogël. Kontribo në arkën e xhamisë qoftë edhe me 1 euro nëse s’ke më shumë.

Dhe dije i nderuari vëlla, këto vepra të duken të vogla, por nesër në Ditën e Gjykimit, mund të vijnë në peshoren tënde si malet!

 

Vëllezër! Njerëzit janë kalimtarë. Vlerësimi i tyre vjen e shkon. Por Zoti ynë është i Përjetshëm, dhe llogaria e Tij është Mëshirë e pastër.

O Allah! Mos na e humb asnjë vepër të mirë që e kemi bërë për hir Tëndin!

O Zot, pastroji nijetet tona dhe na bëj prej atyre që bëjnë mirë në heshtje, e shpërblehen publikisht në Ditën e Gjykimit!

O Allah, jepu bereqet vëllezërve tanë në pasuritë dhe në djersën e tyre. Shpërbleji për çdo lodhje që kalojnë në rritjen e familjeve të tyre.

O Zot, pranoji veprat tona, na i fal gabimet tona, seps

e vërtet, Ti je Ai që shumëfishon të mirën dhe fal të keqen!

Amin!

 

Hoxhë Hisen Ceka

Xhamia Drita Duisburg

18.09.2026

Share This:
Tags:
Language