
Të dashur vëllezër, një pjesë e konsiderueshme prej jush
punoni në ndërtimtari dhe ai i cili merret me ndërtimtari,
pra, që një ndërtim të dalë i bukur dhe konstruksioni i tij të dalë mirë, nevojiten matje të bëra shumë mirë.
Pra, i bëni matjet me precizitet shumë të madh, me qëllim që të mos ketë gabime
pastaj në ndërtimin e objektit.
Mirëpo, të dashur vëllezër, a keni menduar ndonjëherë se edhe fjalët që i flasim,
edhe sjelljet tona, duhet t’i masim ato fillimisht para se me e fol fjalën
apo para se me e bë një veprim, i cili nëse është i pamatur, ndoshta do të bëjë shumë dëm.
Vëllezër besimtarë, sot një prej sëmundjeve më të rrezikshme,
që shpesh nuk ka shërim, është sëmundja e kancerit
dhe shpesh kjo lloj sëmundjeje din me funksionu në heshtje.
Pra, njeriu e zbulon ndoshta në fazën e fundit, pasi që veçse ka bërë dëm.
Andaj, të dashur vëllezër besimtarë, sëmundja me të cilën ne përballemi sot, e cila në heshtje
i shkatërron marrëdhëniet e njëri-tjetrit, janë padyshim fjalët
të cilat nuk i masim dhe i themi për njëri-tjetrin.
Përgojojmë apo shpifim për njëri-tjetrin. Kjo është sëmundje edhe më e rrezikshme sesa sëmundja që e
cituam. Sepse, të dashur vëllezër besimtarë, të flasësh për nderin e dikujt, të
shpifësh për dikë, atëherë me të vërtetë ke bërë një dëm shumë më të madh sesa kjo sëmundje që e theksuam.
Sepse për këtë sëmundje ndoshta mundet me u bë shërim, ndërsa për këtë tjetrën, nëse nuk jemi të kujdesshëm, atëherë
kemi bërë dëm shumë të madh. Feja na mëson që ne jo të flasim për njëri-tjetrin,
mirëpo feja na mëson që të flasim me njëri-tjetrin.
Nëse shohim një të metë tek tjetri, nëse shohim një gabim tek tjetri, gabimi më i
madh është kur mundohemi që atë të metë me ia plasë në fytyrë mes njerëzve.
Pra, në këtë rast kemi shkatërruar dhe nuk kemi shëruar.
Mirëpo feja na mëson që me e nda anash dhe me e këshilluar, me ia treguar të metën që ndoshta ai me sytë e tij nuk e ka parë që është duke bërë gabim.
Udhëheqësi i besimtarëve, Omeri radiallahu anhu, imagjinoni këtë burrë të fortë dhe të fuqishëm,
para të cilit dridheshin perandoritë më të mëdha të asaj kohe, tha një fjalë madhështore.
Imagjinoni këtë burrë të fuqishëm ta thotë këtë fjalë. Tha: “Allahu e mëshiroftë atë njeri që më këshillon për
të metat e mia.” Pra, nuk tha që ma plas të metën në fytyrë, mirëpo tha që më këshillon. Dhe këshilla dihet që jepet jo
në publik, mirëpo jepet në vetmi. Andaj, vëllezër besimtarë, ne jetojmë në një shoqëri
dhe mes njerëzve që ndoshta kurrë nuk e kanë hapur Kuranin për ta parë mesazhin e këtij Kurani, për të cilin mesazh
folëm në ligjëratën para ezanit të xhumasë. Mirëpo Kuranin që e shohin, e shohin tek ne,
tek sjellja jonë. Si është sjellja jonë me njëri-tjetrin?
Si sillemi ne në punë? Si sillemi ne në tregti? Si sillemi ne në familjet
tona e kështu me radhë? Andaj, nuk mundemi që ne me i ftuar të tjerët në këtë fe të
bukur, nëse ata nuk shohin tek ne durimin që e bëjmë ndaj njëri-tjetrit, ndihmesën
që ia bëjmë njëri-tjetrit. Andaj, përpara se të flasim bukur gjuhën gjermane me
ta, ne të dashur vëllezër besimtarë duhet të flasim rrjedhshëm gjuhën e moralit, gjuhën e buzëqeshjes,
gjuhën e mbulimit të metave të njëri-tjetrit.
Pra, kjo është ajka e fesë sonë. “Çfarë feje paskan këta burra?”, atëherë do të thonë këta njerëz të cilët nuk janë të fesë tonë, kur t’i shohin sjelljet tona.
“Çfarë zemra të pastra paskan këta njerëz, të cilët nuk duan me e dëmtu njëri-tjetrin.”
Kjo, të dashur vëllezër besimtarë, është Kurani praktik që ne ua prezantojmë të tjerëve. Andaj dijeni që ne jemi modeli
më i mirë edhe për fëmijët tanë. Nëse në ambientet familjare tona fëmijët tanë
dëgjojnë vetëm se si ti merresh duke përgojuar tjetrin, duke folur për
gabimet e tjetrit, atëherë dije se me atë mendësi edhe fëmija yt ka me u rrit.
Ndaj ne duhet të jemi modeli më i mirë për ta, që ata praktikisht të shohin tek sjelljet tona, tek veprimet tona, modelin më të mirë të besimtarit, të muslimanit.
E përmbylli me fjalën më të mirë, me udhëzuesin më të mirë të zemrave, fjalën
e Muhamed Mustafasë ﷺ, që tha me një hadith: “Kush beson në Allahun dhe
në Ditën e Gjykimit, ose le të flasë mirë ose le të heshtë.” Ta
përdorim këtë gjuhën tonë për të ndërtuar ura mes njëri-tjetrit dhe jo me e përdorë në atë formë që me ngrit mure për njëri-tjetrin.
Pra, të jemi të tillë që e këshillojmë njëri-tjetrin, ia mbulojmë të metat dhe kur është momenti e këshillojmë në vetmi. Të jemi të
tillë që nuk flasim për nderin e njëri-tjetrit, nuk flasim për njëri-tjetrin, mirëpo gjithmonë do të
flasim me njëri-tjetrin duke e këshilluar dhe duke u munduar që mendimet tona, fjalët tona, sjelljet
tona të jenë shembulli praktik më i mirë për secilin njeri që i sheh veprimet dhe fjalët tona.
