Ekuilibri i Besimtarit (dy margaritarë për Xhuma)
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Gjatë ditës, ne hapim dhe mbyllim dhjetëra dyer: derën e shtëpisë, derën e makinës, derën e zyrës apo fabrikës. Por ka dy dyer që ne i kalojmë kur vijmë këtu, të cilat, nëse i hapim me vetëdije, na ndryshojnë të gjithë jetën.
I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na ka mësuar një edukatë madhështore. Na ka mësuar se çfarë duhet të thotë zemra dhe gjuha jonë kur hyjmë në xhami, dhe çfarë duhet të themi kur dalim prej saj. Këto nuk janë thjesht fjalë formale; këto dy lutje të shkurtra janë një program i plotë jete për muslimanin.
1. Hyrja në xhami: Kërkimi i Mëshirës (Rahmeti)
Profeti (a.s) na mëson se kur besimtari hyn në xhami, ai hyn me këmbën e djathtë, dhe thotë:
“اللَّهُمَّ افْتَحْ لِي أَبْوَابَ رَحْمَتِكَ”
(All-llahummeftah li ebvabe rahmetik)
“O Allah, m’i hap mua dyert e Mëshirës Tënde!”
Pse pikërisht Mëshirën? Pse nuk kërkojmë pasuri apo shëndet kur hyjmë në xhami?
Sepse kur hyjmë në Shtëpinë e Allahut, ne jemi mysafirë të Tij. Jemi larguar nga zhurma e rrugëve, nga stresi i faturave, nga problemet e punës, dhe kemi ardhur të gjejmë shërim për shpirtin. Brenda xhamisë, ne nuk kemi nevojë për euro, nuk kemi nevojë për post apo karrierë; ne kemi nevojë vetëm për faljen e gjynaheve tona dhe për qetësi shpirtërore.
Brenda xhamisë bie mëshira e Zotit (Rahmeti). Kur bëjmë sexhde, kur dëgjojmë Kuranin, kur përshëndetemi me vëllezërit dhe e gjithë kjo është Mëshirë. Ne i lutemi Zotit: O Zot, jashtë këtyre mureve jam lodhur, bota më ka rënduar, prandaj m’i hap dyert e mëshirës Tënde që të pushoj dhe të pastrohem!
2. Dalja nga xhamia: Kërkimi i Mirësisë (Fadli)
Por Islami nuk është fe që na kërkon të mbyllemi në xhami dhe ta braktisim jetën. Sapo përfundojmë namazin dhe dalim me këmbën e majtë jashtë xhamisë, Profeti (a.s) na ka mësuar të bëjmë një lutje krejtësisht tjetër. Ne themi:
“اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ مِنْ فَضْلِكَ”
(All-llahumme inni es’eluke min fadlik)
“O Allah, unë të kërkoj nga Mirësia (Begatia/Fadli) Jote!”
Pse e ndryshojmë lutjen kur dalim? Çfarë është Fadli?
Fadli është furnizimi (risku) hallall, suksesi në punë, ruajtja e familjes, shëndeti dhe mbarëvajtja në dynja.
Kur dalim nga xhamia, ne duhet të shkojmë në punë, të paguajmë qiranë, të rrisim fëmijët, të përballemi me sfidat e jetës në diasporë. Dhe ne i themi Zotit: O Zot, unë e mora ushqimin për shpirtin (Mëshirën) brenda xhamisë, tani po dal në dynjanë Tënde të kërkoj ushqimin për trupin tim dhe familjen time, prandaj më ndihmo, ma bëj riskun hallall dhe të lehtë!
Kjo përputhet në mënyrë të përsosur me atë që Allahu i Lartësuar na urdhëron në suren El-Xhumuah:
{ فَإِذَا قُضِیَتِ ٱلصَّلَوٰةُ فَٱنتَشِرُوا۟ فِی ٱلۡأَرۡضِ وَٱبۡتَغُوا۟ مِن فَضۡلِ ٱللَّهِ }
“Dhe kur të përfundojë namazi, shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga mirësitë (Fadli) e Allahut…”(El-Xhumuah, 10).
3. Ekuilibri i Artë i Besimtarit
Të nderuar vëllezër! Shikoni sa e mrekullueshme është feja jonë. Këto dy lutje na tregojnë ekuilibrin e artë të muslimanit: Ne nuk jemi të tillë që vetëm qëndrojmë në xhami e s’punojnë (duke pritur vetëm Rahmetin), dhe nuk jemi as materialistë që jetojnë vetëm për të bërë para e për të mbledhur pasuri, pa ia ditur derën xhamisë!
Muslimani e mbush shpirtin e tij me nur dritë në xhami, për të parë qartë në rrugë dhe në vendin e punës. Ne hyjmë në xhami për t’u bërë njerëz më të mirë, dhe dalim nga xhamia për t’i treguar kësaj shoqërie vlerat e vërteta të fesë sonë.
Nëse hyn në xhami dhe lutesh për Mëshirë, por kur del jashtë mashtron në punë dhe i bën zullum familjes, ti nuk e ke kuptuar lutjen tënde.
Nëse lutesh për sukses e mirësi jashtë, por harron të hysh në dyert e mëshirës për t’u falur, ti e ke lënë shpirtin tënd të vdesë urie.
Përfundimi dhe Mesazhi Praktik
Vëllezër të dashur! Kjo fe është madhështore edhe në detajet e saj më të vogla. Mos i nënvlerësoni këto dy lutje. Janë nga 4-5 fjalë secila. Le të bëjmë një marrëveshje sot, si xhemat:
Askush nga ne të mos hyjë e të mos dalë më nga këto dyer pa i thënë këto fjalë!
Mësojani fëmijëve tuaj. Kur t’i sillni në xhami, kujtojuni në derë: “Babi, çfarë themi kur hyjmë? Themi: O Zot, m’i hap dyert e mëshirës!” Ky edukim i thjeshtë mbetet në mendjen e tyre përgjithmonë.
O Zot, na i hap gjerësisht dyert e Mëshirës Tënde; na i fal gjynahet, na i pastro zemrat dhe na mbulo me paqen Tënde!
O Zot, kur të dalim sot nga këto dyer për në punët dhe familjet tona, na jep nga Mirësia Jote; na e bëj riskun hallall, na jep bereqet në shtëpitë tona dhe na mbro nga çdo e keqe! Amin!


Leave Your Comments