Hutbe: BEGATITË QË I KEMI HARRUAR

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Besimtarë të nderuar!
Ndonjëherë në këtë jetë, ne nuk vuajmë dhe nuk jemi të mërzitur sepse na mungojnë begatitë e Zotit. Ne vuajmë sepse jemi mësuar aq shumë me të mirat që kemi, saqë nuk i vërejmë më ato. Kur një e mirë na vjen çdo ditë, syri ynë mësohet me të dhe zemra jonë fillon ta quajë atë diçka normale.

Mendoni pak për ditën tonë të zakonshme. Zgjohemi në mëngjes, i hapim sytë, marrim frymë lirisht dhe ngrihemi në këmbët tona me shëndet të plotë, por shumë rrallë ndalemi t’i themi Allahut me gjithë zemër: “O Zot, faleminderit që më zgjove shëndoshë e mirë!” Kemi një familje që na pret në shtëpi, kemi prindër, bashkëshorte dhe fëmijë që na dhurojnë buzëqeshje, por shpesh e kuptojmë vlerën e tyre vetëm atëherë kur dikush prej tyre na mungon.

Ulemi çdo ditë rreth tryezës plot me ushqime të ngrohta, por në vend që të gëzohemi për atë që kemi përpara, ne ankohemi për atë që na mungon. Jemi këtu në siguri të plotë, kemi çati mbi kokë dhe mundësi për të punuar e jetuar me dinjitet, por zemra e njeriut prapë rri e trazuar sepse vazhdimisht kërkon më shumë. Madje, edhe vetë fakti që sot kemi mundësi të vijmë në xhami, të rreshtohemi krah për krah, të falemi në paqe, është një dhuratë e madhe. Por sa herë i trajtojmë edhe këto mirësi shpirtërore si gjëra krejt të zakonshme?
Allahu i Madhëruar na ka dhënë një çelës të artë për ta ruajtur atë që kemi dhe për ta shtuar bereqetin në jetën tonë. Ai na premton në Kur’anin Famëlartë:
لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ
„Nëse falënderoni, do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë!“ (Ibrahim, 14:7).

Vëllezër të dashur, ky nuk është thjesht një premtim nga dikush prej njerëzve; ky është premtimi i Krijuesit të qiejve dhe tokës. Kur njeriu falënderon, Allahu nuk ia shton vetëm pasurinë në xhep, por ia shton qetësinë në shpirt, ia shton harmoninë në familje dhe ia shton bereqetin në çdo hap që hedh.

  • Shëndeti, familja dhe siguria

Ka disa dhurata në jetën tonë që nuk blihen me asnjë pasuri të botës, por që ne, për fat të keq, i kuptojmë vetëm atëherë kur rrezikohen ose kur i humbim. Njeriu nuk e di sa e shtrenjtë është një frymëmarrje e lirë, derisa sheh dikë në spital që merr frymë me aparate. Nuk e di sa vlerë ka koha me fëmijët dhe prindërit, derisa vitet ikin me shpejtësi.
Pejgamberi ynë i dashur ﷺ na ka tërhequr vërejtjen për këtë humbje të heshtur që na ndodh çdo ditë, duke thënë:
نِعْمَتَانِ مَغْبُونٌ فِيهِمَا كَثِيرٌ مِنَ النَّاسِ: الصِّحَّةُ وَالْفَرَاغُ
„Dy begati në të cilat shumë njerëz janë në humbje janë shëndeti dhe koha e lirë.“ (Sahih el-Buhari, 6412).
Kemi shëndet, por e harxhojmë pa u afruar me Zotin. Kemi kohë të lirë, por e vrasim me gjëra të kota nëpër telefona, duke harruar njerëzit më të dashur që i kemi në të njëjtën dhomë. Ndaj, le ta pyesim veten sot sinqerisht: A do ta vlerësonim shëndetin sikur ta dinim se nesër do të sëmureshim? A do ta përqafonim familjen më fort sikur ta dinim se nuk do ta kishim gjithmonë pranë?

  • Sëmundja e krahasimit

Besimtarë të nderuar! Pse ndodh që kemi kaq shumë të mira dhe prapë nuk ndihemi të lumtur? Sepse zemrën tonë e ka prekur sëmundja e krahasimit. Ne shikojmë vazhdimisht se çfarë makine ka blerë fqinji, çfarë shtëpie ka ndërtuar tjetri apo ku i ka kaluar pushimet dikush që e shohim në internet. Kur sytë tanë shikojnë vetëm atë që kanë të tjerët, ne verbohemi ndaj mrekullive që kemi në shtëpinë tonë.
Shikoni sa bukur dhe me sa urtësi na e shëron Pejgamberi ﷺ këtë gjendje të shpirtit. Ai thotë:
انْظُرُوا إِلَى مَنْ أَسْفَلَ مِنْكُمْ، وَلَا تَنْظُرُوا إِلَى مَنْ هُوَ فَوْقَكُمْ، فَهُوَ أَجْدَرُ أَنْ لَا تَزْدَرُوا نِعْمَةَ اللَّهِ عَلَيْكُمْ
„Shikoni ata që janë në gjendje më të vështirë se ju dhe mos shikoni ata që janë mbi ju, sepse kjo është më e përshtatshme që të mos i nënvlerësoni begatitë e Allahut ndaj jush.“ (Sahih Muslim, 2963).

Kur të të rëndohet zemra nga punët dhe hallet e jetës, mos shiko atë që ka miliona. Shiko atë që sot nuk ka çfarë t’u shtrojë fëmijëve në sofër. Shiko atë që jeton nën frikën e luftës dhe nuk ka ku ta vendosë kokën i sigurt. Shiko atë që do të jepte gjithçka që ka, vetëm për të pasur shëndetin që ti e gëzon sot dhe për të ardhur në xhami me këmbët e veta siç ke ardhur ti sot.
Vëlla i dashur, ndoshta sot po kërkon nga Allahu diçka që ende nuk e ke, por a ke falënderuar për gjithçka që Ai të ka dhënë dhe që nesër mund të mos e kesh më?
Lus Allahun e Madhëruar të na i hapë sytë e zemrës që t’i shohim mirësitë e Tij para se t’i humbim ato! Kërkoni falje prej Tij, se vërtet Ai është Falësi dhe Mëshiruesi më i madh!

Imam Hisen Ceka

Xhamia “Drita” Duisburg

13.11.2026

Share This:
Tags:
Language