HUTBE: A na do Allahu neve?
🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.
🇩🇪 Deutsche Übersetzung
🇸🇦 الترجمة العربية
🇹🇷 Türkçe Çeviri
Jetojmë në një botë ku njerëzit përpiqen që të jenë në qendër të vëmendjes për të tjerët.
Dikush dëshiron të njihet në shoqëri. Dikush dëshiron të respektohet në punë. Dikush përpiqet të fitojë famë, pasuri apo pozitë.
Por mendoni pak: çfarë vlere ka të të duan të gjithë njerëzit, nëse ti e humb kënaqësinë e Allahut?
Dhe çfarë humbjeje është të mos të vlerësojnë njerëzit, mirëpo të jesh prej atyre që Allahu i do?
Pejgamberi ﷺ na ka treguar një hadith madhështor. Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, në Sahihun e Buhariut dhe Sahihun e Muslimit, ai tregon se Allahu, kur e do një rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë se e do atë rob, prandaj duhet ta dojë edhe Xhibrili. Pastaj Xhibrili i lajmëron banorët e qiellit se Allahu e do atë njeri, prandaj edhe ata e duan. Më pas atij i jepet pranimi në tokë.
Mendojeni këtë mirësi.
Ti mund të jesh një njeri i zakonshëm në sytë e botës. Mund të mos kesh famë, mund të mos kesh pasuri të madhe dhe mund të mos ta njohë emrin tënd askush përtej rrethit tënd.
Por nëse je prej atyre që Allahu i do, çfarë rëndësie ka nëse bota nuk të duartroket?
Nderi më i madh nuk është që njerëzit të flasin mirë për ty, por që Allahu të jetë i kënaqur me ty.
Nëse duam ta fitojmë dashurinë e Allahut, nuk duhet të shpikim vetë rrugën. Duhet të shikojmë çfarë na ka mësuar Allahu në Kuran.
Allahu i Madhëruar thotë: «Vërtet, Allahu i do bamirësit.» (El-Bekare, 2:195)
Dhe thotë: «Allahu i do të durueshmit.» (Ali Imran, 3:146)
Dhe thotë: «Vërtet, Allahu i do ata që pendohen vazhdimisht dhe i do ata që pastrohen.» (El-Bekare, 2:222)
Pra Allahu na tregoi rrugën se si fitohet dashuria e Tij. Ai na ka treguar se i do bamirësit, të durueshmit, ata që pendohen dhe ata që pastrohen.
Kjo rrugë fillon me sinqeritetin, vazhdon me bindjen, shfaqet në sjelljen tonë dhe forcohet me pendimin e vazhdueshëm.
Dhe lind pyetja: Nëse e duam Allahun, si mund ta dëshmojmë këtë dashuri?
Na tregon Allahu i lartësuar në Kuran: «Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë mëkatet tuaja!» (Ali Imran, 3:31)
Allahu po na tregon në këtë ajet se nëse e duam Allahun, atëherë dashuria e vërtetë kërkon vepra dhe gjithashtu nëse e duam Allahun, duhet ta pasojmë Pejgamberin ﷺ, duhet të përpiqemi ta pasojmë në adhurimin tonë, në moralin tonë, në mëshirën ndaj njerëzve dhe në drejtësinë tonë.
Nuk mjafton të themi se e duam Allahun, nëse namazin e lëmë pas dore, nëse të drejtat e njerëzve i shkelim dhe nëse mëkatet i arsyetojmë vazhdimisht.
Natyrisht, të gjithë gabojmë. Askush prej nesh nuk është pa të meta. Por besimtari nuk e përdor gabimin si arsye për të mos u përmirësuar. Ai pendohet, ngrihet dhe vazhdon.
Vëllezër të dashur! Ne kemi një mirësi të madhe kur vijmë në xhami. Këtu falemi, dëgjojmë Kuran, mësojmë fenë dhe përkujtojmë Allahun.
Por dua t’ju parashtroj një pyetje: A është Allahu vetëm Zoti ynë kur jemi në xhami, apo është Zoti ynë edhe kur dalim prej saj?
Kur je në xhami, është e lehtë të thuash fjalë të mira. Por çfarë ndodh kur kthehesh në shtëpi dhe je i lodhur nga puna?
Si i flet bashkëshortes? Si i trajton fëmijët? Si sillesh kur dikush të kundërshton?
Çfarë ndodh kur kolegu të provokon? Kur dikush të bën padrejtësi? Kur askush nuk të sheh dhe ke mundësi të fitosh diçka në mënyrë të pandershme? Pikërisht aty shfaqet besimi ynë në praktikë.
Njeriu mund të falë namaz të gjatë, por duhet të përpiqet që edhe sjellja e tij të jetë e mirë.
Mund ta lexojë Kuranin me zë të bukur, por duhet të kujdeset që gjuha e tij të mos i lëndojë njerëzit.
Mund të japë sadaka, por duhet të përpiqet të mos jetë dorështrënguar me familjen e tij.
Mund të flasë për mëshirën e Allahut, por duhet të mësojë të jetë i mëshirshëm me të tjerët.
Pejgamberi ﷺ na ka mësuar se Allahu nuk shikon vetëm pamjen dhe pasurinë tonë, por shikon zemrat dhe veprat tona. Këtë e transmeton Muslimi.
Prandaj, mos e ndaj fenë nga jeta. Mos u bëj një njeri në xhami dhe një tjetër në shtëpi. Mos u bëj një njeri para xhematit dhe një tjetër kur je vetëm. Besimtari i vërtetë përpiqet të jetë i njëjti në sinqeritet, edhe kur e shohin njerëzit, edhe kur nuk e sheh askush prej tyre.
Ndoshta dikush prej nesh po mendon: «Unë kam shumë mangësi. Si mund ta fitoj dashurinë e Allahut?»
Përgjigjja është: fillo nga aty ku je dhe afrohu te Allahu me vepra të sinqerta.
Pejgamberi ﷺ, në hadithin kudsij të transmetuar nga Buhariu, përcjell se Allahu thotë: «Robi Im nuk më afrohet me diçka më të dashur tek Unë sesa me atë që ia kam bërë detyrim. Dhe robi Im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare, derisa Unë ta dua atë.»
Ky hadith na jep një renditje të qartë.
Së pari, detyrimet. Pastaj veprat vullnetare.
Prandaj, le të fillojmë me disa hapa konkretë.
Së pari: ruaje namazin.
Mos lejo që puna, lodhja apo angazhimet e kësaj bote ta bëjnë namazin gjënë që e shtyn gjithmonë për më vonë. Nëse dëshiron të afrohesh te Allahu, fillo me namazin që Ai ta ka bërë detyrim.
Së dyti: caktoje një kohë për Kuranin.
Edhe nëse fillon me disa ajete në ditë, lexoji me vëmendje. Pyete veten çfarë po të mëson Allahu. Më mirë të lexosh me meditim dhe të përpiqesh të veprosh sipas asaj që mëson, sesa të kalosh nëpër fjalë pa e përfshirë zemrën.
Së treti: përmende Allahun gjatë ditës.
Kur je duke ecur, kur udhëton, kur pret dikë ose kur ke një çast të lirë, përmende Allahun. Thuaj Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber, kërko falje prej Tij dhe bëj lutje.
Allahu thotë: «Më përmendni Mua, që edhe Unë t’ju përmend juve!» (El-Bekare, 2:152)
Së katërti: ngrihu ndonjëherë natën për t’u lutur.
Nuk është e domosdoshme të fillosh me namaz të gjatë. Fale atë që mundesh, kërko falje dhe fol me Allahun për shqetësimet e tua. Ai e di gjendjen tënde edhe para se t’ia tregosh, por të ka mësuar që t’i drejtohesh Atij.
Së pesti: bëje një vepër të mirë që nuk e di askush përveç Allahut.
Ndihmo dikë pa e treguar. Jep sadaka pa kërkuar lavdërim. Fale dikë që të ka lënduar. Bëji mirë një njeriu që nuk mund të të shpërblejë.
Pse? Sepse dëshiron që vepra jote të jetë e sinqertë për hir të Allahut, jo për duartrokitjet e njerëzve.
Mos mendo se duhet të bësh gjithçka brenda një dite.
Fillo me një hap të vogël, por të sinqertë. Pastaj vazhdo.
O Allah, na jep mirësi në këtë botë dhe mirësi në botën tjetër, na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit dhe na bashko me mëshirën Tënde me njerëzit e mirë në Xhenetin Firdeus.
O Allah, mos na lër të largohemi nga kjo botë pa qenë Ti i kënaqur me ne.
Amin, ja Rabb-el-alemin.
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia “Drita” Duisburg
16.10.2026