Hutbe: Bukuria e vërtetë e xhamisë
🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.
🇩🇪 Deutsche Übersetzung
🇸🇦 الترجمة العربية
🇹🇷 Türkçe Çeviri
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Nëse pyesim: çfarë e shpon një shkëmb të fortë, një valë e fuqishme uji që i përplaset një herë, apo një pikë e vogël uji që bie vazhdimisht mbi të? Të gjithë e dimë përgjigjen. Është pika e vogël, por e vazhdueshme, ajo që lë gjurmë në gurin më të fortë.
E tillë është edhe jeta jonë shpirtërore. Pejgamberi ﷺ na ka mësuar një parim të artë kur ka thënë:
“Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshme, qofshin edhe të vogla.”
Të nderuar vëllezër!
Shikoni pak rreth e rrotull. Falënderimi i takon Allahut dhe pastaj mundit tuaj, që keni ndërtuar këtë xhami të re. Ma sha Allah, është një godinë e bukur, e pastër dhe e ndritshme. Por, çfarë e bën vërtet të bukur një xhami? A e zbukurojnë muret, dritat e shtrenjta apo qilimat e rinj?
Allahu i Madhërishëm na tregon qartë në Kuran se cila është bukuria dhe mirëmbajtja e vërtetë e xhamive:
“Xhamitë e Allahut i mirëmbajnë dhe i vizitojnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Gjykimit, që falin namazin, japin zeqatin dhe nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut…” (Et-Teube, 18).
Mirëmbajtja e shtëpisë së Allahut nuk bëhet vetëm me tulla e bojë, por me namaz, me gjallëri dhe me prezencën tonë. Një xhami, sado e madhe apo e bukur që është, pa njerëz brenda, është si një trup pa shpirt. E shoh shpesh që jashtë ditës së xhuma, xhemati na mungon. E di që jeta këtu në mërgim është me një ritëm të shpejtë, plot lodhje e strese. Mirëpo, a nuk është pikërisht xhamia vendi ku vijmë për të shëruar atë lodhje? Të gjejmë pak kohë, një namaz në ditë apo në mbrëmje, që t’ia dedikojmë kësaj shtëpie.
Por ka edhe një mënyrë tjetër se si ne e mbajmë gjallë xhaminë: duke ua transmetuar dashurinë për të fëmijëve tanë. Sepse nëse ne nuk ua tregojmë me shembull se xhamia është pjesë e jetës sonë, nesër do ta kemi shumë më të vështirë t’u kërkojmë atyre ta duan dhe ta frekuentojnë atë.
– Shembulli ynë tek fëmijët
Këtë të diel që lamë pas, ne rifilluam mësimin fetar me fëmijët tanë. Por sot kam një mesazh për secilin prej nesh si prind: Fëmijët tanë shikojnë më shumë sesa dëgjojnë.
Më lejoni t’ju tregoj një tregim të shkurtër. Një ditë dimri, një baba po ecte nëpër dëborën e thellë. Papritur, ktheu kokën dhe pa djalin e tij të vogël që po hidhte hapat me vështirësi, duke u munduar të shkelte saktësisht aty ku kishte shkelur babai. Prindi i habitur e pyeti: “Çfarë po bën kështu, o biri im?” Djali me pafajësinë e tij iu përgjigj: “Kujdes se ku po shkel, o baba, sepse unë po eci saktësisht në gjurmët e tua!”
Ky është realiteti ynë, vëllezër! Hapat e fëmijëve tanë ndjekin hapat tanë. Nëse gjurmët tona nuk çojnë drejt xhamisë, ata do të thonë nesër: “Pse të vij unë, kur babai im nuk vjen?” T’i mbajmë për dore dhe t’i sjellim me vete, që ata ta shohin xhaminë si shtëpinë e tyre të dytë.
– Mesazhi im jetësor për ju sot është ky: Ne punojmë me mish e me shpirt çdo ditë për t’u lënë fëmijëve tanë një jetë të mirë, një shtëpi, apo diçka të kursyer. Por pasuria materiale vjen e shkon. Trashëgimia më e madhe dhe e pashlyeshme që mund t’i lëmë fëmijës sonë, është rruga e hapur drejt shtëpisë së Allahut dhe dashuria për Kuranin.
Nesër, kur të largohemi nga kjo botë, pasuria që kemi mbledhur do të mbetet këtu. Por një fëmijë që kemi edukuar me iman, që e kemi mësuar Kuranin dhe e kemi lidhur me shtëpinë e Allahut, mund të vazhdojë të jetë sadaka për ne edhe pas vdekjes. Ai fëmijë do ngrit duart e tij, në këtë xhami dhe thotë: “O Zot, fale babanë tim!”
Xhamia jonë “Drita” është një Qendër Islame, oaza dhe mburoja e identitetit tonë. Për këtë arsye, si Imami juaj, e ndiej për obligim t’ju them: Unë jam këtu për juve, xhemat! Koha dhe dija ime janë në shërbimin tuaj.
Mos hezitoni. Le ta bëjmë këtë xhami të jetojë çdo ditë dhe le ta mbushim atë me dritën e Kuranit!
Le të mos mjaftohemi duke pasur një xhami të bukur. Le të bëhemi ne njerëzit që ia japim asaj bukurinë e vërtetë: me namazin tonë, me fëmijët tanë, me Kuranin, me moralin dhe me praninë tonë.
Allahu ju ruajt ju, familjet tuaja dhe e bëftë këtë xhami dritë për këtë qytet!
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia Drita Duisburg
11.09.2026