HUTBE: Muhamedi ﷺ – mëshirë që ecën në mesin e njerëzve

🎧 Dëgjo Hutben në gjuhën tënde!
Nëse keni miq apo familjarë që nuk flasin shqip, ndajeni këtë faqe me ta.


🇩🇪 Deutsche Übersetzung


🇸🇦 الترجمة العربية


🇹🇷 Türkçe Çeviri

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Ne gjendemi në muajin Rebiul-Evvel. Muaji në të cilin historia e njerëzimit ndryshoi drejtim përgjithmonë. Në këtë muaj lindi njeriu më i madh që ka ecur ndonjëherë mbi këtë tokë: Muhamedi ﷺ.

Sot nuk dua të ndalem te datat e sakta. Nuk dua të ndalem te kronologjia. Dhe as te debatet se si duhet apo nuk duhet të kujtohet kjo ngjarje. Sepse dashuria për Pejgamberin ﷺ nuk është çështje e një date të vetme. Nuk është as çështje e një ceremonie. Dashuria për të është vetë frymëmarrja e besimtarit.

Nuk ka namaz pa e përmendur atë. Nuk ka shehadet pa dëshmuar për të. Sot dua të ndalemi te një gjë shumë më thelbësore:

Çfarë i solli ky njeri kësaj bote? Kush ishte ai?

Allahu i Madhërishëm e përmbledh të gjithë jetën dhe misionin e tij në një ajet të vetëm:  وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ

Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija, 107)

Ndaluni pak te fjala “Mëshirë”. Allahu nuk tha: Të dërguam si gjykatës për botët. As si ndëshkues për botët. Por: Si mëshirë.

 

Mëshirë që ecën

Vëllezër, ai ishte me të vërtetë një mëshirë që ecte mes njerëzve.

Në botën e sotme, kur njerëzit marrin pak pushtet, pak pasuri, apo pak pozitë… ata tjetërsohen. Izolohen nga njerëzit e thjeshtë. Të shohin nga lart-poshtë.

Por shikoni të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Ai ishte udhëheqësi suprem i shtetit islam. Ai ishte komandant ushtrie. Ai ishte gjykatës. Ai ishte Pejgamber i Zotit. E megjithatë, si jetonte?

Flitej me të pa asnjë barrierë.

Nëse një grua e moshuar kishte një hall, e ndalte në rrugë, dhe ai qëndronte nën diell duke e dëgjuar derisa ajo të mbaronte punë.

Nëse një fëmijë i vogël luante në rrugë, ai ishte i pari që i jepte selam dhe ia përkëdhelte kokën.

Kur falej në xhami, nipërit e tij (Hasani dhe Husejni) i hipnin në shpinë kur ishte në sexhde, dhe ai e zgjaste sexhden vetëm e vetëm që të mos ua prishë gëzimin atyre fëmijëve.

A keni parë ndonjëherë një burrështetas apo një udhëheqës fetar me një butësi të tillë? Kjo ishte feja e tij. Afërsia me njeriun.

 

Morali dhe Falja

Nëse duam ta njohim madhështinë e këtij njeriu, duhet të shohim se si sillej me ata që i bënin keq.

Shumë prej nesh, këtu ku jemi, mbajmë inate për vite të tëra. Nuk flasim me vëllain për një fjalë goje. Nuk flasim me fqinjin për një keqkuptim. Bëhemi të ashpër me bashkëshortet tona për një gabim të vogël.

Por si veproi Pejgamberi ﷺ?

Kur hyri në Mekë, fitimtar, si lider i padiskutueshëm, kishte përpara të njëjtit njerëz që e kishin dëbuar. Të njëjtit njerëz që i kishin vrarë shokët. Të njëjtit njerëz që i kishin marrë pasurinë dhe e kishin torturuar për 13 vite. Kishte fuqinë të merrte hak.

Çfarë u tha atyre? “Shkoni, ju jeni të lirë!

Ai u mësoi njerëzve se madhështia nuk tregohet duke shtypur të tjerët. Madhështia tregohet duke falur kur ke mundësi të ndëshkosh.

Prandaj Allahu i tha atij në Kuran: وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ

Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!” (El-Kalem, 4)

 

Drejtësia dhe Jeta e Përditshme

Ai nuk na e solli fenë vetëm për ta mbajtur brenda mureve të xhamisë. Ai na tregoi se si të jemi njerëz të mirë në shoqëri. Dhe ky është një mesazh jetik për ne që jetojmë sot në Gjermani, apo kudo në diasporë.

Muhamedi ﷺ na mësoi se tregtari mysliman nuk mashtron. Punëtori mysliman e bën punën me cilësi të lartë, sepse “Allahu e do atë që e bën punën me përsosmëri“.

Ai na mësoi se më i miri prej nesh nuk është ai që falet më së gjati, por “Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij”.

Nëse ne sot duam t’i tregojmë botës se kush është Muhamedi ﷺ, këtë nuk mund ta bëjmë vetëm duke kënduar ilahi. As vetëm duke recituar poezi.

Botës i tregohet se kush është Pejgamberi jonë, kur ata shohin te ne moralin e tij!

Kur fqinji yt gjerman të ndihet i sigurt nga ti.

Kur kolegu yt në punë të vlerëson për besnikërinë.

Kur fëmijët e tu shohin një baba të butë e të mëshirshëm në shtëpi.

Kjo është ringjallja e Sunetit të tij!

 

Tre Hapa për ta Ringjallur Dashurinë për Të

Të nderuar vëllezër, nuk mjafton vetëm të krenohemi që jemi nga Ymeti i tij. Ne duhet ta mbajmë të gjallë rrugën e tij. Në këtë muaj, dhe në çdo muaj tjetër, le t’i bëjmë vetes këto tre premtime:

  • E para: Le ta njohim atë.

Ne nuk mund të duam dikë që nuk e njohim. Merrni një libër për jetën e Pejgamberit ﷺ. Lexojeni atë në shtëpi, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët tuaj. Tregojuni atyre historitë e tij. Fëmijët tanë sot njohin çdo futbollist dhe çdo personazh interneti, por nuk njohin njeriun që u solli dritën e besimit. Kjo është detyra jonë.

  • E dyta: Le të sjellim një vepër të tijën në jetën tonë.

Zgjidhni një sunet të tij dhe bëjeni pjesë të jetës suaj.

Zgjidhni buzëqeshjen e tij.

Zgjidhni faljen.

Zgjidhni fjalën e mirë.

Zgjidhni mëshirën ndaj atyre që janë më të dobët se ju.

  • E treta: Shpeshtoni salavatet.

Mos e lini të kalojë asnjë ditë pa thënë: “Allahumme sali ala Muhamed“.

Çdo herë që dërgoni salavat, Allahu ju dërgon juve dhjetë mëshira. Dhe secili prej nesh, pasha Allahun, ka nevojë ekstreme për mëshirën e Zotit.

…..Të dashur vëllezër, ta duash Pejgamberin ﷺ do të thotë ta ndjekësh atë.

Ta duash atë do të thotë të jesh një njeri më i mirë, më i butë, më i drejtë.

O Allah, na e mbush zemrën me dashurinë për Të Dërguarin Tënd!

O Allah, na ndihmo që ta ndjekim rrugën dhe moralin e tij në këtë jetë!

O Zot i botëve, na bashko me të në Xhenetet e larta.

Na bëj prej atyre që do të pinë ujë nga dora e tij e bekuar në Ditën e Gjykimit, një pije pas së cilës nuk do të kemi etje kurrë më! Amin!

 

Hoxhë Hisen Ceka

Xhamia Drita, Duisburg

21.08.2026

Share This:
Tags:
Language