Allahu e njeh dobësinë tënde
🇩🇪 Deutsche Übersetzung
🔊
🇸🇦 الترجمة العربية
🔊
🇹🇷 Türkçe Çeviri
🔊
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Secili prej nesh, ka probleme nga më të ndryshmet.
Dikush ka një problem në familje.
Dikush ka një shqetësim për fëmijët.
Dikush ka vështirësi në punë.
Dikush ka borxhe.
E dikush… është thjesht i lodhur nga jeta, por nuk ia tregon askujt.
Ndonjëherë kur e takojmë njëri-tjetrin, përshëndetemi, buzëqeshim dhe pyesim: “Si je?”
Dhe përgjigjja është gjithmonë: “Mirë, elhamdulilah.”
Por vetëm Allahu e di se çfarë fshihet vërtet pas asaj përgjigjje.
Dhe pikërisht për këtë njeri, vjen një ajet jashtëzakonisht i bukur dhe ngushëllues.Allahu i Madhërishëm thotë:
يُرِيدُ اللَّهُ أَن يُخَفِّفَ عَنكُمْ ۚ وَخُلِقَ الْإِنسَانُ ضَعِيفًا
“Allahu dëshiron t’jua lehtësojë, sepse njeriu është krijuar i dobët.” (En-Nisa, 28)
> Ndaluni pak te këto fjalë. Allahu i madhërishëm nuk po thotë: Dëshiroj t’ju ngarkojë.
Nuk thotë: Dëshiroj t’ju vështirësojë.
Mirëpo Allahu po thotë: يُرِيدُ اللَّهُ أَن يُخَفِّفَ عَنكُمْ Allahu dëshiron t’jua lehtësojë.
Dhe pastaj na tregon pse: خُلِقَ الْإِنسَانُ ضَعِيفًا “Sepse njeriu është krijuar i dobët.”
Allahu e njeh dobësinë tonë Vëllezër
Ne shpesh turpërohemi nga dobësia jonë. Nuk duam t’ia pranojmë askujt se jemi të lodhur. Nuk duam të tregojmë se kemi frikë apo jemi të thyer. Ndonjëherë, as vetes nuk ia pranojmë.
Por Allahu e di!
Ai që të ka krijuar, e di se kur lodhesh. E di kur zemra jote thyhet. E di kur nuk ke më fuqi. E di kur buzëqesh para njerëzve, ndërsa brenda vetes je duke luftuar një betejë të madhe. Dhe pikërisht në këtë gjendje, Allahu thotë: خُلِقَ الْإِنسَانُ ضَعِيفًا “Njeriu është krijuar i dobët.”
Kjo është njohje e realitetit të tij. Njeriu ka nevojë të hajë, të pijë, të flejë, të pushojë. Njeriu harron. Njeriu gabon. Njeriu frikësohet. Njeriu sprovohet. Prandaj, Islami nuk erdhi për një krijesë imagjinare që nuk lodhet dhe nuk gabon. Islami erdhi për njeriun real.
Feja nuk është ndërtuar për të na thyer
Këtu duhet ta kuptojmë një parim të madh të besimit tonë. Kur Allahu na obligon me namaz, nuk na obligon që të na shkatërrojë kohën. Kur na obligon me agjërim, nuk dëshiron të na dëmtojë trupin. Kur na ndalon prej haramit, nuk dëshiron të na privojë nga e mira.
Pas çdo urdhri të Allahut ka urtësi. Dhe pas çdo ndalimi ka mëshirë. Prandaj Allahu thotë:
لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë së tij.” (El-Bekare, 286)
Kjo është një prej fjalive më ngushëlluese për besimtarin. Ti mund të mendosh: “Nuk mundem më.” Por Allahu e di saktësisht se sa mundesh.
Por çfarë do të thotë se Allahu dëshiron lehtësim?
Kjo nuk do të thotë se besimtari nuk do të ketë sprova. Përkundrazi. Jeta ka sprova. Edhe pejgamberët janë sprovuar:
Nuhu (a.s) u përball me popullin e tij.
Ibrahimi (a.s) u hodh në zjarr.
Jusufi (a.s) u nda nga babai, u hodh në pus, u shit si rob dhe u burgos padrejtësisht.
Ejubi (a.s) humbi gjithçka.
Dhe vete i Dërguari i Allahut Muhamedi ﷺ kaloi nëpër dhimbje e sprova të mëdha.
Pra, lehtësimi nuk do të thotë mungesë sprovash. Lehtësimi do të thotë se Allahu të jep forcë për ta kaluar sprovën!
Ndonjëherë Allahu nuk e largon menjëherë problemin, por ta forcon zemrën. Të hap një derë që nuk e ke parë. Të sjell një njeri që të ndihmon. Të jep durimin që nuk e kishe. Dhe ndonjëherë, pas një kohe, e kupton se ajo që e mendoje si fundin tënd, ishte thjesht një kthesë drejt një të mire që nuk e kishe imagjinuar.
Mos ia vështirëso vetes fenë
Ka njerëz që kur sprovohen thonë: “Ku është Allahu?” Por ndoshta pyetja duhet të jetë: “Si po më afron Allahu me Veten përmes kësaj sprove?” Sepse sprova mund të bëjë atë që dhjetëra këshilla nuk mundën ta bëjnë: Të kthehesh në sexhde. Të ngresh duart në dua. Të thuash: “O Allah, unë nuk mundem pa Ty.” Dhe ndoshta pikërisht aty fillon shpëtimi.
Nëse Allahu ka vendosur lehtësimin për ne, atëherë ne nuk duhet ta kthejmë fenë në një barrë të padurueshme për njëri-tjetrin. Ndonjëherë ne, me sjelljen tonë, ua bëjmë njerëzve fenë më të rëndë sesa e ka bërë Vetë Allahu.
Psh: Një i ri vjen në xhami; ai ka nevojë për një fjalë që ta afrojë me Zotin, por nëse e presim vetëm me qortim, ai mund të largohet. Ose një tjetër ka bërë një gabim dhe vjen të kërkojë këshillë; nëse i themi “Ti nuk je prej njerëzve të mirë”, mund ta largojmë përgjithmonë nga dera e pendimit.
Prandaj Profeti ﷺ na ka lënë këtë rregull të artë:يَسِّرُوا وَلَا تُعَسِّرُوا، وَبَشِّرُوا وَلَا تُنَفِّرُوا
“Lehtësoni dhe mos vështirësoni; përgëzoni dhe mos largoni.”
Kjo nuk do të thotë ta bëjmë haramin hallall. Do të thotë ta përcjellim të vërtetën me urtësi, me mëshirë dhe në mënyrën më të bukur.
Tre hapa kur të rëndohet jeta
Vëllezër të nderuar! Nëse ky ajet do të duhej të na linte vetëm një porosi sot, do të ishte kjo: Mos u dorëzo për shkak të peshës që mban. Ti je njeri. Dhe Allahu e di se je i dobët. Prandaj, kur t’ju rëndohet jeta, mbani mend këto tre gjëra:
E para: Kthehu te Allahu para se të kërkosh shpëtim te çdo derë tjetër.
Namazi, duaja, istigfari dhe Kurani nuk janë vetëm ibadete obligative. Ato janë strehë për zemrën. Allahu thotë:
أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ
“Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.” (Er-Rra’d, 28)
E dyta: Mos e mbaj çdo barrë vetëm.
Kërko ndihmë. Fol me njerëz të mirë. Këshillohu. Feja nuk të mëson të pretendosh se je i pathyeshëm. Edhe një profet i madh si Musai (a.s) i tha Zotit: Më jep vëllain tim, Harunin, që të më ndihmojë.
E treta: Mos e humb shpresën kur nuk e sheh menjëherë rrugëdaljen.
Allahu mund të ketë caktuar lehtësimin, por ti ende nuk e sheh atë. Sa herë kemi menduar se nuk ka më rrugëdalje, e pastaj Allahu na ka hapur një derë nga aty ku nuk e prisnim? Prandaj, besimtari i vërtetë nuk thotë kurrë “Nuk ka zgjidhje”. Ai thotë: “Unë ende nuk e di se ku është zgjidhja, por e di se Allahu e di.”
Vëllezër të dashur!
Për të gjithë ne, Allahu ka këtë fjalë: يُرِيدُ اللَّهُ أَن يُخَفِّفَ عَنكُمْ ۚ وَخُلِقَ الْإِنسَانُ ضَعِيفًا
“Allahu dëshiron t’jua lehtësojë, sepse njeriu është krijuar i dobët.”
Prandaj mos u turpëroni, por ngrijini duart dhe thuajini Allahut:
“O Zoti im, unë jam i dobët, por Ti je i Fuqishëm!”
“Unë nuk di, por Ti di!”
“Unë nuk mundem, por Ti mundesh!”
“Unë nuk e shoh rrugën, por Ti e sheh!”
O Allah, na e lehtëso çdo vështirësi dhe na i largo brengat.
Na i forco zemrat tona dhe të fëmijëve tanë në këtë vend.
Mos na e bëj asnjë sprovë shkak për t’u larguar prej Teje, por bëje shkak për t’u afruar edhe më shumë tek Ti!
Amin!
Hoxhë Hisen Ceka
Xhamia Drita Duisburg, 14.08.2026


Leave Your Comments
You must be logged in to post a comment.