Bagazhi i besimtarit drejtë vendlindjes

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Kemi hyrë në kohën e pushimeve dhe ky është momenti kur mendja dhe zemra e secilit prej nesh fluturon drejt vendlindjes. Shumë prej jush i kanë bërë gati valixhet, i keni përgatitur veturat dhe po numëroni ditët për t’u nisur drejt familjeve tuaja. Është një gëzim i madh, një mirësi e madhe nga Allahu që na jep mundësinë të udhëtojmë të lirë, të sigurt dhe të bashkohemi me më të dashurit tanë.
Pikërisht për këtë atmosferë, sot dua të ndaj me ju disa këshilla vëllazërore, si udhëzime për rrugën dhe për qëndrimin tonë atje.
1. Falënderimi dhe Modestia
Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran:{ لَىِٕن شَكَرۡتُمۡ لَأَزِیدَنَّكُمۡۖ } Nëse jeni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat…”(Ibrahim, 7). Ne jemi këtu në mërgim (gurbet), punojmë me djersë dhe Allahu na ka begatuar. Zoti na ka mundësuar të kemi shtëpi të mira këtu, të blejmë vetura të bukura e të shtrenjta. Kjo është mirësi e Tij. Por, vëllezër të dashur, kur të shkojmë në vendlindje, kemi vëllezër, familjarë e fqinj që ndoshta përballen me vështirësi ekonomike. Le të mos i lëndojmë zemrat e tyre duke u mburrur me veturat tona apo me atë që kemi arritur. Feja jonë na mëson të jemi të thjeshtë. Profeti Muhamed (s.a.v.s) na ka paralajmëruar:
وَمَا تَوَاضَعَ أَحَدٌ لِلَّهِ إِلَّا رَفَعَهُ اللَّهُ*” Kush bëhet modest për hir të Allahut, Allahu e lartëson atë.”* Kur të hyni në mëhallën tuaj, hyni me buzëqeshje, me fjalë të ëmbla dhe me dashuri, sepse këtë e do Allahu.
2. Ruajtja e Lidhjeve Farefisnore (Silatur-Rrahmi)
Qëllimi më i madh i këtij udhëtimi, përtej pushimit fizik, duhet të jetë vizita te prindërit, vëllezërit, motrat dhe të afërmit. Lidhja farefisnore në Islam nuk është thjesht traditë, është një obligim i madh fetar.
I Dërguari i Allahut (s.a.v.s) na ka dhënë një myzhde (lajm të gëzuar) të jashtëzakonshme kur thotë:
«مَنْ أَحَبَّ أَنْ يُبْسَطَ لَهُ فِي رِزْقِهِ، وَيُنْسَأَ لَهُ فِي أَثَرِهِ، فَلْيَصِلْ رَحِمَهُ».
*”Kush dëshiron t’i shtohet furnizimi (risku) dhe t’i zgjatet jeta, le të mbajë lidhjet farefisnore!”* *(Buhariu)*.
Bëni dhurata sado të vogla, sepse dhurata e shton dashurinë. Nëse keni ndonjë hatërmbetje apo inat me dikë në familje, bëhuni ju burra më të mirë dhe shtrijeni dorën e pajtimit këtë verë. Mos u ktheni nga pushimet me zili e me hidhërime, por kthehuni me zemra të pastruara.
3. Besimtari nuk merr “pushim” nga Zoti i tij
Shpesh ndodh që ndërrimi i ambientit, atmosfera e pushimeve dhe relaksi bëjnë që disa ta neglizhojnë namazin apo rregullat e fesë. Vëllezër, Besimtari është në adhurim kudo që shkon.
Allahu urdhëron: { وَٱعۡبُدۡ رَبَّكَ حَتَّىٰ یَأۡتِیَكَ ٱلۡیَقِینُ }
“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja (e vërteta)! (Hixhr, 99). Nuk ka pushim nga namazi. Përkundrazi, feja na e ka lehtësuar: si udhëtarë kemi të drejtë t’i shkurtojmë namazet katër-reqatëshe në dy, dhe t’i bashkojmë ato. Me këto lehtësime, nuk kemi asnjë arsyetim ta lëmë namazin. Bëhuni shembull i mirë atje, që kur t’ju shohë rinia në vendlindje të thonë: “Shiko, erdhën nga Gjermania dhe xhaminë nuk e lënë.”
4. Kujdesi në Rrugë – Jeta është Amanet
Në fund, një këshillë jetike për rrugën që keni përpara. Rruga drejt Ballkanit është e gjatë, shpesh e lodhshme dhe ka kolona. Kërkohet durim! Mos u nxitoni, mos e teproni me shpejtësinë!
Shpejtësia i ka marrë jetën shumë njerëzve dhe ka mbyllur dyert e shumë shtëpive. Vetura është një mjet për të lehtësuar jetën, jo një armë për ta shkatërruar atë. Allahu thotë në Kuran: وَلَا تُلۡقُوا۟ بِأَیۡدِیكُمۡ
“Dhe mos e hidhni veten në rrezik me duart tuaja!” (Bekare, 195)*. Ndërsa Profeti (s.a.v.s) thotë: *”Qetësia dhe maturia janë nga Allahu, ndërsa nxitimi është nga shejtani.”*
Familjet tuaja në vendlindje po ju presin të gjallë e të shëndoshë. Askush nuk fiton një medalje pse arriti dy apo tre orë më herët, por mund të humbë gjithçka në një sekondë pakujdesie. Respektoni rregullat, bëni pushime gjatë rrugës dhe këndoni lutjen e udhëtimit.
Allahu ju ruajtë ju dhe familjet tuaja! Allahu ju bëftë rrugën të lehtë e t’ju kthejë shëndosh e mirë!
Të nderuar xhemat, le ta mbyllim këtë hutbe me një lutje nga zemra për të gjithë ata që do të udhëtojnë:
O Allah! Na bëj prej atyre që falënderojnë për mirësitë e Tua dhe mos na bëj prej mendjemëdhenjve!
O Zot i Mëshirshëm, bëja të lehtë dhe të sigurt rrugën çdo udhëtari!
O Zot, ruaji familjet tona, fëmijët tanë nga çdo aksident, e keqe apo bela në rrugë!
Na ndihmo t’i gëzojmë prindërit dhe t’i mbajmë lidhjet farefisnore ashtu siç Ti je i kënaqur!
Na kthe në shtëpitë tona shëndosh e mirë, me gjynahe të falura dhe me vepra të pranuara!
Amin!
